KFOR-i refuzon takimin me zyrtarët serbë

Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, nuk do të takohet me Borko Stefanoviçin dhe Goran Bogdanoviçin, ngaqë ata kanë hyrë ilegalisht në Kosovë.
Zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wichter, ka thënë se ky takim nuk do të ndodhë. Ai ka shtuar se KFOR-i nuk ka hequr dorë nga mënjanimi i pengesave në rrugët që çojnë në Jarinje.
Pasi kanë biseduar për tri orë me përfaqësuesit e serbëve lokalë nga veriu i Kosovës, Stefanoviç dhe Bogdanoviç janë kthyer në Serbi për t`u takuar në Rashkë me zyrtarin e BE-së, Robert Cooper.
Ata kanë thënë se në Kosovë kanë hyrë në rrugë të tjera, sepse KFOR-i nuk i ka lejuar të kalojnë në Jarinje.
Më herët, zëdhënësi i EULEX-it, Nicolas Hoton ka thënë se misioni i BE-së është kundër hyrjeve ilegale të zyrtarëve serb në Kosovë, për të shtuar se ende nuk ka qëndrim zyrtar për arrestimin eventual të zyrtarëve serbë që futen ilegalisht në Kosovë.