E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Takimi me Nikoliq për relaksim të marrëdhënieve

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot me Presidentin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, në Bruksel.

Pak orë para se të takohet me homologun e saj serb, Tomislav Nikoliq, presidentja kosovare tha se edhe takimi i shefave të dy shteteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja, është në funksion të normalizimit dhe relaksimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dy shteteve që aspirojnë anëtarësimin në BE.

Në anën tjetër Rompuy, e përgëzoi Presidenten Jahjaga për rolin dhe angazhimin e saj të drejtpërdrejtë në mbështetje të dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Ai tha se dialogu është në funksion të frymës evropiane për të tejkaluar problemet e të kaluarës dhe për t’iu ofruar perspektivë të gjithë qytetarëve.

Presidenti Rompuy theksoi se për të gjitha vendet e rajonit perspektiva evropiane është e qartë dhe e hapur dhe ato duhet të punojnë për të ndërtuar ura të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Këta të dy folën edhe për përparimi e theksuar të Kosovës në përmbushjen e kritereve dhe standardeve për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si edhe në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, që qytetarët e Republikës së Kosovës të udhëtojnë lirshëm si të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet dhe e gjithë shoqëria në Kosovë janë të përkushtuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës ku sundon ligji dhe rendi. Ajo tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësi e punës dhe Kosova ka ngritur të gjithë mekanizmat e nevojshëm për të luftuar këto fenomene negative.

Sipas saj, Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promovuese e fqinjësisë së mirë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›