Shqipëri-Itali, bllokohen 1185 kilogramë lëndë narkotike, pranga 7 shqiptarëve
TIRANË-LEÇE – Dy superaksione policore për sekuestrimin e lëndëve narkotike janë kryer në orët e para të ditës së djeshme në Shqipëri dhe Itali. Plot 1185 kilogramë lëndë narkotike, Cannabis sativa dhe marijuanë, janë sekuestruar gjatë këtyre operacioneve, ku janë vënë në pranga 7 shtetas shqiptarë. Operacioni i parë është zhvilluar në shtetin italian, ku pas njoftimeve të marra nga pala shqiptare është bllokuar një skaf me 900 kilogramë Cannabis sativa dhe janë vënë në pranga tre shqiptarët: Arbëresh Hazizaj, 23 vjeç nga Vlora, Almarind Braha, 26 vjeç banues në Altamura dhe Jezim Birçaj.
Ndërkohë që në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Lazarat, Policia e Gjirokastrës ka arrestuar Andi Kurtin, Selami Lushkajn, Eglivan Atijan dhe Eduart Lushkajn, që të katërt lindur dhe banues në qytetin e Fierit. Gjatë ndalimit të tyre policia sekuestroi një sasi prej 285 kilogramësh marijuanë, e cila ishte marrë në Lazarat dhe kishte si destinacion qytetin e Fierit.
Operacioni në Itali
Ka qenë një njoftim i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës ajo që ka vënë në lëvizje autoritetet italiane, duke i njoftuar se një mjet lundrues ishte duke iu afruar ujërave detare italiane. Menjëherë Guardia Di Finanzia dhe Interforza Italiane janë vënë në lëvizje për ndalimin e këtij mjeti lundrues. Policia italiane bën të ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka bërë të mundur arrestimin e tre shtetasve shqiptarë, Arbëresh Hazizaj, 23 vjeç nga Vlora, Almarind Braha, 26 vjeç banues në Altamura dhe Jezim Birçaj, 36 vjeç, të cilët kanë sjellë nga Shqipëria një sasi prej 900 kg marijuanë me skaf.
Aksioni është zhvilluar në orën 02:00 të natës, menjëherë pasi Policia italiane u vu në dijeni të ngarkesës së drogës, e cila po tentohej të zbarkohej në brigjet italiane me anë të një skafi.
Policia italiane tha se sapo ajo ka ndërhyrë, trafikantët u larguan nga gomoja ku mbanin drogën, ndërsa dy prej tyre u hodhën në shkurre, në bregdet, ku dhe u arrestuan.
Trafikanti i tretë u zhyt dhe tentoi të qëndronte në ujë së bashku me 13 qese droge, por policia e gjeti dhe e vendosi në pranga. Kryeprokurori Cataldo Motta tha se nëse do të shitej në tregun e narkotikeve, nga droga do të përfitoheshin 1 milion euro. Në aksionin për bllokimin e drogës u përfshinë më shumë se 25 mjete të Policisë italiane, përfshi motovedeta, helikopterë dhe anije patrullimi.
Operacioni “Gjuetia e natës”
Bllokohen 285 kilogramë lëndë narkotike, arrestohen katër transportuesit e saj. Rreth orës 23:30 të dy netëve më parë, Policia e Gjirokastrës është njoftuar se në kodrën që lidh lagjen “Zinxhira” të këtij qyteti me fshatin Lazarat, disa persona po transportonin lëndë narkotike nga Lazarati në drejtim të qytetit të Fierit. Menjëherë specialistët e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Gjirokastër kanë organizuar shërbimet për të goditur këtë trafik të lëndëve narkotike. Shtetasit, të cilët transportonin lëndën narkotike, janë mbajtur nën vëzhgim nga shërbimet e fshehta të Sektorit Kundër Krimit të Organizuar deri në momentin që këta shtetas e kanë ngarkuar lëndën narkotike në një automjet tip “Fiat” kamionçinë e mbuluar dhe kanë filluar lëvizjen. “Rreth orës 00:30 të mëngjesit, të datës 02.04.2010, në vendin e quajtur Ura e Memaliajit Tepelenë, specialistët e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar kanë ndërhyrë duke bërë të mundur bllokimin e rrugës në të dyja drejtimet, në hyrje dhe në dalje të Urës së Memaliajit, ku si rezultat i kësaj ndërhyrjeje u bë e mundur arrestimi në flagrancë i katër transportuesve të kësaj sasie droge”, – bën të ditur Policia e Gjirokastrës.
Nga këqyrja e automjetit tip “Fiat” rezultoi se në brendësi të tij ishin 17 thasë plastmasi me ngjyrë të zezë të mbushur me lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë, ku pesha e secilit thes varionte nga 15 deri në 17 kilogramë, gjithsej rreth 285 kilogramë. “Ndërhyrja është bërë në Memaliaj, pasi specialistët e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Gjirokastër donin të kapnin makinën shoqëruese, pasi drejtuesi i kësaj makine është organizatori dhe blerësi i lëndës narkotike, konkretisht shtetasi i arrestuar Andi Kurti”, – thonë burimet policore të Gjirokastrës. Ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”.
Të arrestuarit
Operacioni “Gjuetia e natës”
1. Andi Kurti, i datëlindjes 1969, lindur dhe banues në Fier, drejtues i automjetit tip “Benz” me tragë EJ 55 USV (automjet i cili ishte shoqërues i drogës, pra pararoja).
2. Selami Lushkaj, i datëlindjes 1973, lindur dhe banues në Fier, pasagjer në automjetin tip “Benz” me tragë EJ 55 USV, shoqërues i lëndës narkotike.
3. Eglivan Atija, i datëlindjes 1982, lindur dhe banues në Fier, drejtues i automjetit tip “Fiat” kamionçinë me tragë EL 99 49 B, ku ishte ngarkuar lënda narkotike.
4. Eduart Lushkaj, i datëlindjes 1990, lindur dhe banues në Fier, pasagjer në automjetin tip “Fiat”, shoqërues i lëndës narkotike.
Operacioni në Itali
Arbëresh Hazizaj
Almarind Braha
Jezim Birçaj
Aksidentohet për vdekje 12-vjeçari
TIRANË – Aksidentohet për vdekje një 12-vjeçar pranë mbikalimit të Sukthit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, kur një automjet me targë DR 5886 E, “Alfa Romeo” në ngjyrë të kuqe po kalonte në rrugën pranë mbikalimit me shkallë, i cili gjendej vetëm dhjetë metra më tutje. Në këto momente, një djalë i vogël me çantë shkolle në dorë ka kaluar bordurën e rrugës, por lëvizja ka qenë fatale, sepse makina e përfshiu në aksident duke e hedhur në ajër dhe përplasur në anë të rrugës, rreth 30 metra më tutje. Ngjarja i ka shkaktuar vdekje të menjëhershme fëmijës që besohet të jetë rreth 12-vjeçar, nxënës shkolle që po kthehej për në shtëpi. Në vendngjarje, shoferi i makinës, një oficer i Marinës Detare Durrës, rreth 40 vjeçar, ka ndaluar duke pritur që të mbërrijnë forcat policore për procedurat e rastit.
I sëmuri mendor vret të atin, policia e shpall në kërkim
SARANDË – I sëmuri mendor vret të atin dhe largohet në drejtim të paditur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë, në Ksamil të Sarandës, ku 62-vjeçari Haxhi Oruçi është goditur më një mjet të fortë nga i biri, 22-vjeçari Blerim Oruçi. Sipas dëshmitarëve mësohet se 22-vjeçari kishte disa ditë që e kërcënonte të atin me vrasje, por duke marrë parasysh gjendjen e tij mendore vetë viktima dhe kolegët e tij nuk e kanë cilësuar serioz një kërcënim të tillë deri në momentin kur i riu ka shkuar pranë punës së të atit, i ka marrë atij mjetin e punës tip troko nga dora dhe e ka goditur më pas në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka alarmuar punëtorët e tjerë, të cilët kanë parë 62-vjeçarin të prerë në kokë dhe të vdekur në vend, ndërsa i biri, me probleme mendore, është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur. Nga ana e saj Policia e qytetit bregdetar është vënë në kërkim të 22-vjeçarit.
Dogji një makinë dhe shkatërroi një tjetër, pranga autorit
TIRANË – Dogji një makinë dhe dëmtoi një tjetër, arrestohet nga policia Ilirjan Itaj. Policia e kryeqyteti bën të ditur se ka arrestuar 47-vjeçarin pasi i ka vënë flakën dje në mbrëmje një automjeti në mënyrë të qëllimshme, ndërsa ka shkatërruar më pas me mjete të forta një tjetër makinë. Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se gjatë orëve të vona të natës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë kryen arrestimin në flagrancë të shtetasi Ilirjan Itaj, 47 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij personi, sipas policisë, është bërë sepse dje dyshohet se në orën 23:30, në rrugën “Pandi Dardha”, ka djegur automjetin tip “Reno”, me targë TR 7296 G, në pronësi të një shtetasi. Pas kësaj ngjarje, i arrestuari dyshohet se ka thyer xhamat e automjetit tip “Opel”, me targë TR 4161 A, në pronësi të një tjetër shtetasi. Menjëherë pas ndalimit të tij, policia tha se ka dërguar çështjen në prokurori për ndjekje penale me akuzën “shkatërrimi i pronës me zjarr”.
3 Prill 2010