E Hënë, 2 Nëntor 2026

KIEV – Rusia godet centralin e Tripilskës, dëme të mëdha në infrastrukturën energjetike

KIEV, 8 shtator /ATSH-DPA/- Një central pranë Kievit është dëmtuar nga një sulm rus me dron, thanë sot autoritetet.

“Rusia e di shumë mirë se po synon infrastrukturën civile”, tha Ministria e Energjisë në Telegram pa zbuluar vendndodhjen e saktë të centralit.

Rusia, e cila nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, ka theksuar vazhdimisht se po synon vetëm infrastrukturën ushtarake.

Megjithatë, dhjetëra civilë janë vrarë në sulmet ajrore në qytetet ukrainase që sulmohen pothuajse çdo ditë, ndërsa Rusia ka shkaktuar dëme të gjera në infrastrukturën energjetike të vendit, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë.

Sipas vëzhguesve ushtarakë ukrainas në Telegram, sulmi kishte në shënjestër centralin e Tripilskës në brigjet e lumit Dnipro, në jug të Kievit.

Objekti është sulmuar dhe dëmtuar disa herë më parë. Në një përditësim të mëvonshëm, ministria tha se furnizimi me energji ishte stabilizuar pas sulmit.

Ndërkohë, dy persona u vranë në një fshat pranë Kramatorskut në Ukrainën lindore në sulmet e fundit ruse gjatë natës.

“Në total, Rusia e goditi Ukrainën me 142 dronë, 112 prej të cilëve u interceptuan”, tha Forca Ajrore Ukrainase.

Kjo vjen pasi forcat ruse nisën dje sulmin e tyre më të rëndë me dronë deri më sot ndaj fqinjit më të vogël, duke dislokuar mbi 800 dronë dhe duke dëmtuar ndërtesën kryesore qeveritare në Kiev, për herë të parë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›