E Martë, 3 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky: Nuk mund të garantoj sigurinë e udhëheqësve në paradën e Moskës

KIEV, 3 maj /ATSH-ANSA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se “nuk mund të garantonte sigurinë” e liderëve ndërkombëtarë që do të ishin mysafirë të Vladimir Putin në Moskë – me rastin e paradës që shënon 80 vjetorin e fitores sovjetike në Luftën e Dytë Botërore, më 9 maj.

“Nuk dihet se çfarë synon të bëjë Rusia në atë datë. Mund të marrë masa të ndryshme, të tilla si zjarre ose shpërthime, dhe pastaj të na fajësojë ne”, tha Zelensky.

Duke folur me gazetarët, presidenti ukrainas tha gjithashtu se nuk kishte ndërmend të bënte lojëra, duke krijuar një atmosferë të këndshme për t’i lejuar Putinit të dilte nga izolimi më 9 maj” – ndërsa përsëriti propozimin për një armëpushim 30-ditor.

Sipas Zelensky, qasja e Donald Trump ndaj luftës në Ukrainë filloi të ndryshojë pas takimit dypalësh në Shën Pjetër, me rastin e funeralit të Papa Françeskut, krahasuar me përplasjen e tyre në Shtëpinë e Bardhë, në fund të shkurtit.

“Jam i bindur se pas takimit tonë në Vatikan, presidenti Trump filloi t’i shihte gjërat pak më ndryshe. Sidoqoftë, ky është këndvështrimi i tij, vendimi i tij”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se e kishte hodhur poshtë propozimin e Putinit për një armëpushim treditor më 9 maj dhe se ai nuk mund të garantonte sigurinë e liderëve botërorë në Moskë.

“Dhe kush po kërkon garancitë e tij? Është thjesht një provokim verbal. Asgjë më shumë”, shkroi zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë ruse, Dmitry Medvedev, në Telegram – duke shtuar se në rast të një provokimi të vërtetë në Ditën e Fitores, askush nuk mund të garantojë se ai do të arrijë në Kiev më 10 maj.

Rusët sulmuan qytetin e Kharkivit në verilindje të Ukrainës gjatë natës, duke plagosur të paktën 51 persona, përfshirë dy vajza adoleshente, duke përdorur bomba termobarike, të cilat krijojnë një valë shoku me temperaturë shumë të lartë.

“Të paktën shtatë shpërthime ndodhën në pjesë të ndryshme të qytetit, ku shpërthyen zjarre të shumta”, tha media ukrainase – sipas së cilës rusët përdorën të paktën 15 dronë, ndoshta të ngarkuar me këtë lloj arme.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Tammy Bruce, i quajti të rreme raportet se SHBA-ja po shqyrtojnë mundësinë e ndërprerjes së pjesëmarrjes në zgjidhjen e situatës në Ukrainë.

“Bruce mohoi fuqishëm raportet se SHBA-ja ishte tërhequr nga bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, duke i quajtur ato të rreme dhe duke theksuar përfshirjen e vazhdueshme të Amerikës”, raportoi “Fox News”

“Ideja që ne po tërhiqemi nuk është e vërtetë”, tha zëdhënësja e DASH.

“Nëse nuk ka progres të qartë në marrëveshje, ne mund ta ndryshojmë qëndrimin tonë”, shpjegoi ajo – duke theksuar se kjo, nuk përfaqësonte në asnjë mënyrë një hap prapa nga procesi.

Bruce theksoi gjithashtu se vendimi për një tërheqje të mundshme nga procesi negociues i takonte ende i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

“Forcat mbrojtëse të Moskës pretendojnë se kanë shkatërruar 170 dronë ukrainas mbi rajone të ndryshme ruse gjatë natës, si dhe 11 raketa (tetë raketa anti-anije “Shadow Storm” dhe tre raketa “Neptune-Md” të prodhuara në Ukrainë) dhe 14 dronë detarë (anije sulmi pa pilot) mbi Detin e Zi, sipas Ministrisë së Mbrojtjes Ruse. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›