Plagosje e pesëfishtë në Laç, Policia identifikon autorin

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Laçit, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga një person janë plagosur pesë qytetarë, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Policia ka identifikuar autorin e ngjarjes dhe po punon për kapjen e tij.
Drejtoria e Policisë Lezhë ka dalë me një njoftim paraprak pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në orën 13:30, pranë ish-Gjykatës.
Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit midis disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit L. I., A. Gj., G. N., A. N, dhe D.Gj, të cilët janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave dhe në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
“Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si dhe për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij”, thuhet në njoftim.
/r.e/