KIEV – Zelensky i kërkon Trumpit të vizitojë Ukrainën përpara marrëveshjes me Rusinë

KIEV, 14 prill /ATSH/ – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ftuar presidentin amerikan, Donald Trump të vizitojë vendin e tij, përpara çdo marrëveshjeje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, sipas BBC.
“Ju lutemi, përpara çdo lloj vendimi, çdo lloj forme negociatash, ejani të shihni njerëz, civilë, luftëtarë, spitale, kisha, fëmijë të plagosur ose të vdekur”, tha Zelensky në një intervistë për programin ”60 Minuta” të CBS.
Intervista u regjistrua para sulmit shkatërrues me raketa ruse të së dielës në qytetin ukrainas të Sumy, i cili vrau 34 persona, përfshirë dy fëmijë, dhe plagosi 117 të tjerë.
Trump e përshkroi sulmin si një “gjë të tmerrshme”, ndërsa kancelari në pritje i Gjermanisë, Friedrich Merz, akuzoi Rusinë për kryerjen e një krimi lufte.
Nuk kishte asnjë koment zyrtar të menjëhershëm për sulmin nga Rusia, forcat e së cilës përtej kufirit aty pranë thuhet se po përgatiten për një ofensivë të madhe.
I dërguari i posaçëm i Trump për Ukrainën, gjenerali në pension Keith Kellogg, tha se sulmi kishte kaluar “çdo vijë të mirësjelljes”.
Merz, i cili pritet të marrë detyrën si kancelar i ri i Gjermanisë muajin e ardhshëm, i tha transmetuesit publik gjerman ARD se sulmi në Sumy përbënte një “krim të rëndë lufte”.
“Ishte një akt perfid.. dhe është një krim i rëndë lufte dhe i qëllimshëm”, tha politikani konservator.
Ndërkohë, kancelari në largim i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se sulmi tregoi “aq sa vlente gatishmëria e supozuar e Rusisë për paqe”./ a.jor.