Arrestohet në Tiranë i kërkuari ndërkombëtarisht

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, ku së fundmi nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit është finalizuar operacioni policor i koduar “Operacionalja 37”.
Policia e Shtetit njofton se si rezultat i këtij operacioni, në Tiranë u arrestua shtetasi G. B., alias E. P., 45 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Ai akuzohet nga Gjykata e Apelit të Napolit për përfshirje në “Grup kriminal”, “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim dokumentash”, sipas legjislacionit penal italian.
Operacioni u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes FAST ALBANIA dhe Rrjetit Evropian të Njësive FAST (ENFAST), duke u bazuar në informacione të siguruara nga inteligjenca policore.
Ndaj 45-vjeçarit është ekzekutuar masa e arrestit me qëllim ekstradimi, ndërsa Interpol Tirana është në kontakt të vazhdueshëm me Interpol Romën për finalizimin e procedurave të ekstradimit drejt Italisë.
/a.f/r.e/