KINEMA – Meryl Streep zbulon skenën e saj të preferuar të dashurisë me Redford

TIRANË, 16 maj /ATSH/- Në dramën epike romantike, Streep luajti rolin e një baroneshe daneze që bie në dashuri me një gjahtar, të luajtur nga Robert Redford, ndërsa drejtonte një plantacion kafeje në Afrikën e Jugut.
Gjatë një skene të paharrueshme nga filmi, Redford i lan me butësi flokët Streep buzë një lumi ndërsa recitonte vargje nga poezia e Samuel Taylor Coleridge “The Rime of the Ancient Mariner”.
“Është një skenë seksi në një farë mënyre, sepse është kaq intime”, tha aktorja 74-vjeçare për “Variety”.
“Ne kemi parë kaq shumë skena të njerëzve, por nuk e shohim atë prekje të dashur, atë kujdes”, shtoi ajo.
Ndërsa fliste në Kanë, Streep kujtoi se filmimi i skenës fillimisht nuk ishte shumë i këndshëm.
Streep dhe Redford, tani 87 vjeç, ishin paralajmëruar nga produksioni që të ishin të kujdesshëm ndaj kafshëve të egra potencialisht të rrezikshme aty pranë.
“Ne kishim luanë, por ata u importuan nga Kalifornia dhe gjoja ishin të zbutur. Ata nuk ishin”, tha aktorja.
“Dhe gjëja e dytë që na thanë është se kafsha që vret më shumë njerëz në Afrikë është hipopotami”, shtoi Streep.
“Ne po xhironim në lumë dhe hipopotami ishte pikërisht aty. Nuk e di nëse e tregojnë këtë në film, nuk më kujtohet”, tha ajo.
Streep kujtoi se Redford ishte i shqetësuar për sigurinë e tyre dhe nuk po i lante mirë flokët në fillim. “Nuk po e bënte siç duhej”, tha ajo.
Megjithatë, stilisti dhe grimieri i Streep, Roy Hellund, u fut në sheshxhirim dhe i tregoi se si ai zakonisht i lante flokët aktores, të cilën Streep e përshkroi si “pjesën më të mirë të ditës së saj”.
“Redford mori mësimin, dhe sapo u fut në rol ishte me të vërtetë i mrekullueshëm”, kujton Streep.
“Nuk doja që të mbaronte, isha shumë e dashuruar!”, tha ajo.
Me regji të Sydney Pollack, “Out of Africa” u bazua në librin autografik të Karen Blixen të vitit 1937 me të njëjtin emër.
Filmi mori 11 nominime për çmim Oscar, duke përfshirë edhe një nominim për aktoren më të mirë për Streep. //a.i/