E Diel, 1 Nëntor 2026

KINEMA – Producentja e njohur izraelite Dana Eden gjendet e vdekur në Greqi

ATHINË, 16 shkurt /ATSH/ – Producentja e njohur izraelite Dana Eden, e njohur më së shumti si bashkautore e dramës fituese të Emmy-t ”Tehran”, ka vdekur papritur në Greqi, njoftoi sot transmetuesi publik izraelit “KAN”, sipas AP.

“Eden, 52 vjeçe, u gjet e pajetë në një hotel në kryeqytetin grek”, tha një zyrtar i policisë greke, duke shtuar “se treguesit e parë sugjeronin se kishte kryer vetëvrasje dhe nuk kishte dyshim për ndonjë krim”.

Zyrtari foli me kushte anonimiteti, pasi policia greke nuk jep deklarata publike për raste të tilla.

KAN njoftoi se Eden ishte në Greqi për xhirimin e sezonit të katërt të serialit të suksesshëm.

“Dana ishte një nga figurat kryesore në industrinë televizive të Izraelit dhe luajti një rol qendror në krijimin dhe drejtimin e disa prej prodhimeve më të njohura dhe me ndikim brenda korporatës”, tha KAN në një deklaratë.

Nuk u dha një shkak zyrtar i vdekjes.

“Puna e saj profesionale, përkushtimi i pakompromis dhe dashuria për krijimin lanë një gjurmë të thellë në Korporatën Publike Televizive të Izraelit. KAN ndan dhimbjen e thellë me familjen, miqtë dhe kolegët e saj”, shtoi transmetuesi.

Ministri izraelit i Kulturës dhe Sportit, Miki Zohar, në një postim në X, tha se mori lajmin e vdekjes së Eden “me shumë trishtim”, duke e përshkruar atë si “një nga producentet më të shquara dhe me ndikim në industrinë televizive izraelite”.

”Tehran”, i cili u transmetua për herë të parë në Izrael dhe në Apple TV në vitin 2020, rrëfen historinë e Tamar Rabinyan, një operative e re e Mossad-it e ngarkuar të hakerojë dhe çaktivizojë reaktorin bërthamor iranian në mënyrë që ushtria izraelite të mund të kryejë një sulm ajror.

Seriali u cilësua si drama më e mirë në Çmimet e 49-ta Ndërkombëtare të Emmy në nëntor 2021./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›