KK i Preshevës: Lapidari mbetet aty ku është

Pas dështimit të mbrëmshëm të negociatave mes përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës dhe qeveritarëve të Serbisë, në prezencë edhe të faktorit ndërkombëtar, në dy komunat me shumicë shqiptare, në Preshevë e Bujanoc janë zhvilluar sot seancat e jashtëzakonshme me qëllim shqyrtimi të gjendjes më të re të krijuar në Luginën e Preshevës.
38 këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Preshevës, të gjithë shqiptarë, në mënyrë unanime i kanë votuar tri konkluzione që kanë të bëjnë me mosheqjen dhe moslëvizjen e Përmendores së Dëshmorëve të UÇPMB-së.
Sipas komunikatës së dërguar nga kreu i Preshevës Ragmi Mustafa, Kuvendi Komunal ka vlerësuar se gjendja politike dhe e sigurisë e qytetarëve është e lënduar dhe e rrezikuar nga deklaratat kërcënuese të krerëve më të lartë shtetëror të Serbisë.
Kuvendi ka mbështetur aktvendimin e tij për caktimin e emërimit të qendrës së qytetit të Preshevës me emrin “Sheshi i Dëshmorëve”, si dhe që të mos ndërrohet lokacioni i lapidarit të dëshmorëve në këtë shesh. Këshilltarët e KK njëherësh i japin mbështetje përfaqësuesit politik për vazhdimin e dialogut të filluar me përfaqësuesit e Qeverisë serbe nën patronazhin e faktorit ndërkombëtarë.
Kryetari i Komunës, Ragmi Mustafa ka theksuar vendosmërinë për mos heqjen e Përmendores së Dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës, ndërkohë që ka mbështetur konkluzionin për vazhdim të dialogut të filluar me përfaqësuesit e Qeverisë serbe, të mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtarë.
Si raporton Preshevaneës, edhe Kuvendi i Bujanocit sot është duke u marrë me këtë temë. Për dallim nga asambleja komunale e Preshevës, ky i Bujanocit është multietnik, por megjithatë me shumicë shqiptare. Në Kuvendin e Bujanocit po merr pjesë edhe përfaqësuesi i qeverisë serbe, Zoran Stankoviq, në cilësinë e kryetarit të Trupit Koordinues për Jugun e Serbisë./Indeksonline/