KKRT: Teknologjia e dobët, nuk lejon monitorimin e plotë
Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve pa teknikën e duhur për të kontrolluar operatorët radiotelevizivë Pirateria televizive është shndërruar tashmë në një fenomen që po cënon nga dita në ditë gjithmonë dhe më shumë pronësinë intelektuale. E drejta e autorit në vendin tonë tashmë nuk gjen zbatim në çdo fushë qoftë në media, krijimtari muzikore, letrare, artistike e më gjerë dhe vjedhja sa vjen e bëhet më e theksuar, sidomos në kinematografi dhe muzikë, për të folur për miliona euro që shkojnë në xhepat e atyre që shkelin të drejtën e autorit. Edhe pse
ekzistojnë institucionet përkatëse për ta mbrojtur këtë të drejtë në mënyrë që ajo të mos shkelet, përsëri këto të fundit janë të pafuqishme dhe kanë mungesa në realizimin e kësaj detyre. Në televizionet shqiptare shohim yjet e Hollivudit që mbërrijnë në mënyrë ilegale para se ato të kalojnë në rrugën normale ligjore të shfaqjes së tyre në ekrane. Dhe fatkeqësisht nuk dihet asnjëherë shkaku i ekzistencës së këtij problemi, është papërgjeshmëria e institucioneve apo mungesat që këto të fundit mund të kenë në ligj apo teknikë për të vepruar. Në të vërtetë në rast se troket në dyert e institucioneve konkrete që merren me monitorimin e tyre, aty merr përgjigjen e vetme se shkaku i kësaj piraterie televizive, e cila do shndërrohet në gangrenë për shoqërinë tonë, veç boshllëqeve në ligj është dhe teknika e dobët për të bërë monitorimin e plotë të operatorëve radiotelevizivë shqiptare, kur ata e shkelin këtë të drejtë autori. Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve, i vetmi institucion që merret në vendin tonë me monitorimin operatorëve radiotelevizivë nuk ka teknikën e duhur për ta realizuar diçka të tillë. Rrjedhimisht kur kjo nuk bëhet, atëherë kemi një pirateri të pastër, ndërkohë kur duhet të ishte një konkurrencë e ndershme dhe ligjore mes operatorëve radiotelevizivë. Pranë zyrës juridike në Këshillin Kombëtar të Radio Televizioneve bëjnë të ditur se në vendin tonë ekzistojnë një numër i madh mediash, që është e pamundur që të monitorohen të plota. Kemi një sërë operatorësh radiotelevizivë, kështu janë 80 televizione lokale vendore, 53 radio vendore, 2 radio kombëtare, 2 televizione kombëtare, 2 televizione satelitore, pra janë një sërë mediash, që me teknikën që ne disponojmë për monitorimin e tyre, ai nuk arrin të bëhet i plotë. Ne arrijmë të monitorojmë vetëm ato që kapen nga Mali i Dajtit, pa harruar dhe një sërë pengesash ligjore që nuk mund të kapërcehen, pohojnë burime pranë zyrës juridike në KKRT. Duke e parë këtë problem është për të ardhur keq që ky institucion në fjalë nuk shpejton të marrë masat përkatëse për të parandaluar fenomenin e piraterisë televizive, e cila tashmë është fenomeni më i shëmtuar dhe më i dëmshëm i mosrespektimit të pronës intelektuale. Në vendin tonë vidhet hapur e drejta e autorit, që nuk është një problem i vogël, të cilit nuk i dihet se kur do ti vijë zgjidhja. Me miliarda lekë shkojnë në xhepat e këtyre piratëve, të cilët vjedhin pa të drejtë, ndërkohë që ata ndëshkohen me sanksione qesharake. Me dhjetëra radio dhe televizione transmetojnë çfarë duan, filma apo muzikë pa respektuar asnjë ligj që i ndalon këto transmetime. Sërish përgjigja që merr nga KKRT për këtë problem është mospasja e mundësisë e një monitorim të plotë, gjë e kushtëzuar nga teknika e dobët. Ndërkohë që duke e ditur se ku qëndron problemi, duhet të kishte marrë masa me kohë për parandalimin e këtij fenomeni. Por edhe pse padashur të cenosh askënd, të lind dyshimi se zgjatja e kësaj piraterie të pastër mund ti ketë rrënjët diku tjetër. Ndërkohë që të gjithë pyesim se sa do të zgjasë ky problem dhe kur forca e ligjit do të fillojë të veprojë?