Ushtria Profesioniste, kthehet në vend pune për të rinjtë shqiptarë
Në pamundësi për të gjetur një pune në këtë periudhë krize ekonomike, shumë të rinj e shohin Ushtrinë Profesioniste si një treg i mirë pune. Edhe pse ka vetëm pak ditë që ka hyrë në fuqi ligji për ushtrinë profesioniste, në qendrat e rekrutimit ka pasur dyndje të personave të interesuar. Sipas burimeve zyrtare pranë Qendrës së Rekrutimit të Tiranës, vetëm në një ditë regjistrohen 200 kërkesa të tilla. Kërkesat më të shumta janë nga djemtë, por, nuk mungojnë dhe nga vajzat.
Mirëpo, pavarësish kërkesave jo të gjithë mund të vazhdojnë garën deri në fund. Për të qenë pjesë e Ushtrisë duhet të përmbushësh disa kritere. Shqipëria nga 1 janari i këtij viti do të ketë vetëm Ushtri Profesioniste, me pagesë dhe hierarki në bazë të funksioneve dhe gradave. Burime pranë Qendrës së Rekrutimit të Tiranës, bëjnë të ditur se gjatë këtyre ditëve të para të janarit janë regjistruar fluks kërkesash. Përveç dosjes që duhet të përgatisin me disa dokumente, aplikantët, duhet të kalojnë edhe dy testet para se të bëhen pjesë e kësaj ushtrie. Pas pranimit, rekrutimi i ushtarëve/detarëve profesioniste do të bëhet nga qendrat e Brigada e Stervitjes Bazë në Bunavi, në Vlorë, e cila do të bëjë certifikimin e ushtarëve profesioniste. Si vajzat edhe djemtë i nënshtrohen dy testimeve bazë, atij fizik dhe psikologjik. Modeli është ndërtuar me asistencën e ekspertëve të NATO-s, të cilët janë prezent vazhdimisht dhe gjatë konkurrimit të aplikantëve. Pasi mbarojnë provat fizike, kryesisht vrapim dhe ushtrime rezistence, aplikantëve iu duhet të përballojnë edhe provimin me pyetje të karakterit psikologjik. Ushtria shqiptare synon që të ketë një trupë me rreth 3600 vetë, ndër këta rreth 12 për qind ose 430 prej tyre të jenë nga radhët e femrave. Edhe vajzave përveçse një pagesë e kënaqshme i jepet mundësia edhe për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse jashtë vendit, ashtu siç kanë operuar deri më sot dhe meshkujt. Të gjithë vajzat dhe djemtë të moshës nga 19 deri në 30 vjeç do të kenë mundësi për arsimim dhe kualifikim të mëtejshëm në bazë të punës së kryer.