E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD: Gjykatat zvarrisin proceset, të burgosurit rrezikojnë të lirohen

TIRANË (UPDATE) - E stuhishme ka qenë sot mbledhja e KLD-së e drejtuar nga kryetari Bamir Topi. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar që gjykatat të mos zvarrisin çështjet me sensibilitet të lartë shoqëror si dhe të mos bien pre e presioneve.

Nënkryetari, Kreshnik Spahiu ka bërë evident në këtë mbledhje faktin e kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, që shpesh, sipas tij, shkojnë deri në afatet e paraburgimit. "Shumë subjekte që akuzohen për krime rrezikojnë të dalin jashtë, pikërisht për shkak të zgjatjes së gjykimit", u shpreh Spahiu.

Nis nga ky fakt dhe të tjera të parashtruara sot në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Presidenti Topi tërhoqi vëmendjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të hedhin poshtë çdo tentativë për influenca. "Ju kërkoj të denonconi çdo ndërhyrje, që të ketë barazi para ligjit", u shpreh Topi.

Duke ju referuar disa gjykimeve në Gjykatën e Krimeve të Renda, anëtari i KLD-së, Neshat Fana, propozoi që proceset të mos shtyhen por të vazhdojnë në një maratonë disa ditore deri në përfundim. Një praktike kjo e zbatuar në drejtësinë amerikane.

"Prej vitesh gjykatat shqiptare kane hequr dore nga një parim i detyrueshëm i gjykimit të pandërprerë", tha Fana. "Disa prej gjyqeve me sensibilitet të madh publik, si ai i Gërdecit, i bandës së Lul Berishës dhe Indrit Dokles apo i bandës së Cërrikut janë duke u zvarritur si pasoje e manovrave që bëjnë avokatet", shtoi Fana.

KLD konkludoi se ky institucion në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë duhet të rrisin kontrollin mbi gjykatat. "Topi dha mesazhin se rritja e eficensës së gjyqësorit kërkon një përkushtim të të gjithë aktorëve të interesuar. "Kemi pasur mundësi të riorganizojmë gjykatat në rang kombëtar dhe të ketë një përqasje me ligjin organik për funksionimin e gjyqësorit", u shpreh ai. Ndërsa shtoi se "në kuadër të kësaj, do t'i hapim rrugë edhe lëvizjes së gjyqtarëve, jo vetëm plotësimit të vendeve vakante siç bëhet zakonisht".

Në mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i ri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me KLD-në.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›