Incident me armë në Strugë, dy fëmijë të mitur plagosen rëndë
STRUGE - Në fshatin Veleshtë të Strugës në afërsi të shkollës ka ndodhur sot një incident i armatosur dhe nga breshëritë e pushkëve automatike, kanë ngelur të plagosur dy fëmijë të moshës gjashtëvjeçare. Siç bëhet e ditur, incidenti ka ndodhur mes dy familjeve të këtij fshati, të cilët një kohë të gjatë janë në një konflikt të vjeter.
Mosdurimi dhe provokimi mes tyre kanë shkaktuar shpërthimin e incidentit të armatosur. Dy fëmijët, që kanë qenë rastësisht në vendin e ngjarjes kanë ngelur të plagosur nga breshëritë e armëve. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur rreth orës 11.30, që siç thuhet deri tani nga persona të panjohur. Fëmijët me lëndime të rënda trupore janë drejtuar për shërim në Qendrën spitalore të Strugës. MPB bëri të ditur se ka kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes dhe se po kryhen hetimet për kapjen e autorit të të shtënave. Struga është rajoni më i populluar nga shqiptarët në Maqedoni. /INA/