E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD, Nishani: Penalizime të ashpra ndaj gjyqtarëve që abuzojnë me detyrën

TIRANE- Mbledhja e sotme e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka nisur me fjalën e Presidentit të Republikës, njëherësh kreu i këtij Këshilli, Bujar Nishani. Në mbledhje do të shqyrtohen dhe trajtohen disa çështje të rëndësishme që lidhen me mbarëvajtjen e veprimtarisë së gjyqësorit. 

Nishani vlerësoi ndërhyrjet e bëra në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Këto ndërhyrje sipas tij do të ngushtojnë abuzimet e bëra nga gjyqtarët apo prokurorët.

“Ne jemi të bindur se sistemi ynë i gjyqësorit dominohet nga njerëz me integritet të lartë, profesionalistë që kanë nevojë për mbështetje dhe inkurajim. Por ndërhyrjet në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale janë një hap për të ngushtuar maksimalisht abuzimet e bëra nga gjyqtarë apo prokurorë”, tha ai.

Nishani premtoi mbështetje për gjyqtarët, por tha se do të ketë penalizime të ashpra për të gjithë ata që abuzojnë me detyrën.

“Ndaj me opinionin publik këtë vlerësim të KLD. Mbështesim punën e gjyqtarëve tanë, inkurajojmë profesionalizmin, nxisim integritetin, dhe nga ana tjetër do jemi qenë monitorues të kujdesshëm, gjykues të drejtë dhe penalizues të ashpër kur të vëmë re vendime në kundërshtim me ligjin, që cënojnë qytetarët, pavarësisht motiveve që i shtyjnë këta gjyqtarë të marrin këto vendime”, tha kreu i KLD-së.

Nishani më tej tha se në drejtim të këtij institucioni vijnë një sërë ankesash nga qytetarët, të cilat merren në konsideratë, ndaj i ftoi ata t’i bëjnë me dije shqetësimet e tyre përmes portalit on line. “Këto ankesa do ndiqen me përparësi”, tha Nishani.  Sipas tij, janë të patolerueshme zvarritjet që iu bëhen proceseve gjyqësore.

Pika e parë e rendit të ditës kishte të bënte me verifikimin e ligjshmërisë së anëtarit të KLD, Lecaj.

REZULTATET E ANALIZAVE TË GJYQËSORIT PËR VITIN 2012
Nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa ka bërë më pas me dije rezultatet e analizës së gjyqësorit për vitin 2012, i cili ndër problematikat kryesore ka renditur zvarritjen e proceseve gjyqësore.

“Problematika kryesore për vitin 2012, konsiston në zvarritjen e proceseve gjyqësore. Zvarritja është mohim i dhënies së drejtësisë, është cënim i drejtpërdrejtë i lirisë së qytetarit i sistemit”, tha ai. 

Disa nga problemet e tjera të evidentuara janë:
Mos paraqitja e avokatëve përdoret si strategji për të krijuar vonesa të qëllimshme.
Shërbimi postar jo eficent, mungesa e adresave të sakta palët nuk njoftohen në kohë.
Seancat përgatitore, puna e pamjaftueshme e gjyqtarëve nëpërmjet këtyre seancave,
Për shkak të kohës që kalon nëpër shkallë të gjyqësorit dhënia e drejtësisë zbehet, vonesa në dhënien e vendimeve dhe zgjatja e tyre në kohë.
Delegimet një problem tjetër, ngarkesë e shtuar kjo që cënon cilësinë dhe dhënien e vendimit
Urdhra që përjashtojnë gjyqtarët nga shortet nga ana e kryetarëve të gjykatave.
Siguria e gjykatave një problematikë tjetër, janë cënuar gjyqtarët apo palët në proces.
Probleme me procedurat e ekstradimeve.
Probleme me vendimet e gjykatave të Apelit.
Buxheti i gjykatave, i pamjaftueshëm. 

“Në të gjitha analizat e kryera kam shprehur vlerësimin për të gjithë trupën gjyqësore, kam kërkuar të rritet niveli dhe cilësia e gjykimit, trupa gjyqësore të jetë e drejtë aspak tolerante dhe jo e korruptuar”, ka thënë Cefa më tej.
vijon
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›