KLD: PS nëse ka fakte ndaj Kolegjit, t`i çojë në Prokurori

Këshilli i Lartë i Drejtësisë diskutoi mbledhjen e sotme për shqetësimet e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu në lidhje me këtë shqetësim ka deklaruar se çdo individ apo forcë politike, nëse ka fakte konkrete për gyqtarët t`i adresojë ato në Prokurori.
Në fjalën e tij, Spahiu theksoi se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor kanë imunitet. “KLD-ja kërkon që presioni ndaj gjyqtarëve, të mos adresohet në denigrim të figurës, sepse kjo dëmton rëndë imazhin e gjyqësorit. Gjyqtarët e Kolegjit kërkojnë mbrojtje me të drejtë nga KLD, sepse ky insitucion ka detyrimin kushtetues për t`i mbrojtur”, u shpreh Spahiu.
Nënkryetari i KLD-së, theksoi se zgjedhjet administrohen nga KQZ-ja dhe jo nga Gjykata.
“Çështja duhet të jetë brenda kornizave ligjore, pasi dihet qartë që zgjedhjet lokale nuk administrohen nga pushteti gjyqësor, por nga insitucionet e ngrituara nga partitë politike, në rastin konkret nga KQZ, i cili është insitucion i ngritur politikisht me konsensusin e dy partive. PS ka dhënë konsensusin për të tetë gjyqtarët që sot ushtrojnë detyrën e anëtarit të Kolegjit, duke dhënë pëlqimin dhe konsensusin për këta 8 gjyqtarë. Në nenin 149 të Kodit Zgjedhor, KLD i është hequr çdo kompetencë mbi kolegjin”, theksoi gjithashtu Spahiu.