E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: Parregullsi në dosjen e Ilir Xhakjes

 Në një njoftim, KLD-ja bën me dije se ka përfunduar inspektimi në këtë gjykatë, pas ankesave të ngritura me vrasjen e kryekomisarit, Adem Tahiraj, ngjarje e ndodhur më 13 shtator.

“Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë verifikoi ankesën publike mbi veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në shqyrtimin e akuzave penale në ngarkim të të dyshuarit, si autor i aktit të rëndë kriminal ndodhur në datën 13.09.2012, Ilir Xhakja. Nga verifikimi janë konstatuar parregullsi, të cilat në përputhje me nenin 32 të Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, përbëjnë shkak për procedim disiplinor të gjyqtarëve”, thuhet në njoftimin e shpërndarë.

Për këtë arsye, Zëvendëskryetari i përcolli sot Ministrit të Drejtësisë, dokumentacionin përkatës dhe relacionin, për vazhdimin e procedurave ligjore, lidhur me procedimin disiplinor.
 
Më 17 shtator, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal ndaj Neritan Tabakut, me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije se hetimet kanë nisur për “shpërdorim detyre”

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e shpalli vendimin e saj për këtë çështje me numër 98, datë 9.2.2011, duke e deklaruar të pafajshëm shtetasin Ilir Xhakja për veprën penale të parashikuar nga neni 78/1 -25 dhe duke e pushuar çështjen ndaj tij për veprën penale të parashikuar nga neni 278/2 i K.Penal. Ne seancën gjyqësore vendimi nuk u dha i arsyetuar dhe as i zbardhur. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës e apeloi vendimin nr.98, date 9.2.2011 megjithëse vendimi nuk ishte vënë në dispozicion i arsyetuar”, bën me dije Prokuroria e Përgjithshme.

Ngjarja për prokurorinë u risoll në kujtesë pas vrasjes së shefit të Komisariatit të Policisë Shijak, Z.Adem Tahiraj në fshatin Katund –Sukth të rrethit Durrës, ku autor ishte shtetasi Ilir Xhakja, i deklaruar i pafajshëm vitin e shkuar nga Gjykata e Durrësit.

“Pas arrestimit të të dyshuarit Ilir Xhakja dhe informimit në lidhje me ecurinë e çështjes së ankimit të vendimit nr.98 datë 9.2.2011 rezultoi se çështja në fjalë nuk kishte nisur ende te shqyrtohej në Gjykatën e Apelit, pasi fashikulli përkatës ende nuk kishte mbërritur aty nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkak se dosja penale në fjalë ende nuk ishte dorëzuar në kryesekretarinë gjyqësore nga gjyqtari i çështjes, qysh prej datës së shpalljes se vendimit”, thuhet më tej.

Në këto rrethana, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar procedimi penal i mësipërm ndaj shtetasit  Neritan Tabaku për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me mos zbardhjen dhe mos depozitimin brenda afateve ligjore të vendimit gjyqësor penal nr.98, datë 9.2.2011, duke cenuar rëndë interesat e ushtrimit të ndjekjes penale në kohe ndaj shtetasit Ilir Xhakja dhe të dhënies së drejtësisë. /Start/

                                                                                             2012-09-24 16:51
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›