E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon kaosi i ndërtimeve në periferi

Ndërtime intensive vazhdojnë në zonën e Freskut, Yzberishtit, Kasharit, Farkës dhe Paskuqanit. Çdo ditë mbijnë si kërpudha pallate të rinj shumëkatësh. Në çdo qytet evropian zonat periferike ruajnë ekuilibrin me natyrën, ku qytetarët i largohen smogut dhe zhurmës së kaosit urban. Në Shqipëri ndodh e kundërta, si në qendër ashtu edhe në periferi, ku qytetarët ndeshen betonizim ndërtimesh me densitet të lartë.

Qytetarët ndjejnë stresin dhe shqetësimin që shkakton kjo rrëmujë urbane. Një qytetar i Kasharit shprehet: “Jetoj prej 3 vitesh në këtë zonë. Vitet e fundit ndërtimet janë shtuar së tepërmi, pallat pas pallati. Pallati përballë ka izoluar çdo pamje të kodrave përballë”.

Të moshuarit dhe fëmijët e ndjejnë më së tepërmi mungesën e hapësirave publike. Një qytetare thotë “Nuk ka asnjë park ku mund të luajnë fëmijët. Luajnë në rrugë, mes betonit dhe pluhurit”.

Xhemal Mato ambientalist dhe aktvisit për çështjet mjedisore, rreth këtij problemi shprehet: “Hapësira e gjelbër është frymëmarrja, pastërtia, qetësimi, jeta dhe gëzimi i një qyteti, dhe e qytetarëve. Betonizimi i tyre do të thotë t'ia heqësh te gjitha këto mundësi të një jetë më të mirë”.

Pushteti vendor në këto zona deri më sot nuk ka demonstruar plane zhvillimi të mirëfillta për ndërtimet e reja dhe zhvillimin strategjik të zonave në tërësi. “Pushteti vendor duhet të bëjë detyrën si përfaqësues i qytetarëve që e kanë zgjedhur, t’ua përmirësojë cilësinë e jetës. Nëse, për hir të disa bizneseve dhe përfitimeve personale, nuk e bën këtë, atëherë duhet ne të bëjmë diçka. Ju po e bëni këtë gjë me interesimin dhe denoncimin publik të kësaj grabitjeje publike nëpërmjet këtij shkrimi. Ne shoqatat pak, pamjaftueshëm. Po vetë publiku?!” - tha zoti Mato. Në planin e përgjithshëm urbanistik të Kryetarit Basha përfshihen edhe zonat periferike. Megjithëse është vonë për të rikthyer gjelbërimin, qytetarët presin së paku një përmirësim të mjedisit dhe hapësirave publike në këto zona.

/Start/ Eno Shkembi - Artan Dokuzi/

                                                                                             2012-09-24 16:54
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›