E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: “Prokuroria kërkoi procedim penal për gjyqtaren”

Autori i Lajmit: Redaksia
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i përgjigjet letrës së hapur të gjykatëses Marsela Balili, për të cilën akuza ka nisur një procedim penal. Burime zyrtare nga KLD bënë të ditur se gjyqtares së Krimeve të Rënda i është hequr imuniteti pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, e cila e akuzonte për korrupsion pasiv. Ndërkohë, që të mos mbetej pezull asnjë proces në Gjykatën e Krimeve të Rënda, KLD ua ka kaluar dosjet gjyqtarëve penalë të Gjykatës së Tiranës.

KLD

Sipas nenit 29 të këtij ligji, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organi që autorizon procedimin penal ndaj një gjyqtari mbi kërkesën e prokurorisë, dhe vendimmarrja realizohet nga ky Këshill pa një procedurë paraprake të dëgjimit të gjyqtarit, e lidhur kjo me vetë natyrën diskrete të kërkesës për autorizim të procedimit penal dhe urgjencën e shqyrtimit të saj. Pavarësisht nga mosparashikimi i shprehur në ligj për procedurën e njohjes paraprakisht nga gjyqtari, si dhe praktika e deritanishme e Këshillit, ku asnjëherë më parë gjyqtarët nuk janë venë në dijeni për kërkesën e organit të akuzës, gjyqtarja Marsela Balili është njoftuar për tu paraqitur në Këshill në orën 11:00 të datës 02.12.2009, përpara shqyrtimit të kërkesës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ndaj këtij komunikimi, gjyqtarja Balili është përgjigjur shprehimisht se “në këtë orë dhe datë kam gjyq”.
Në kushtet e dhënies së autorizimit për procedim penal, pezullimi nga detyra i gjyqtares është pasojë direkte e ligjit dhe i është komunikuar menjëherë kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda me shkresën nr.2420 të datës 02.12.2009, me qëllim ndërprerjen e ushtrimit të funksionit nga gjyqtarja. Me qëllimin e vetëm për të mos shkaktuar asnjë shtyrje apo vonesë në kohë të proceseve gjyqësore ku gjyqtarja Balili ka qenë në trup gjykues, KLD, menjëherë pas pezullimit të saj nga detyra, ka marrë masa për të deleguar gjyqtarë në dy çështje gjyqësore.

Gjyqet

Në çështjen me të pandehur Emiliano Shullazin, Ervin Ferhati, janë deleguar gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Petrit Çomo dhe Bujar Krasniqi. Në çështjen me të pandehur Arben Boriçi, Ilir Stergu etj., është deleguar gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Albert Meça.
Kjo procedurë, e zakonshme për veprimtarinë e Këshillit, është përmbushur në respektim të plotë të kritereve për delegimin e gjyqtarëve, sipas vendimit respektiv të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të garantuar vazhdimësinë dhe normalitetin e këtyre gjykimeve.

Vendimi

Vendimi, i marrë me unanimitet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka të bëjë specifikisht me aktet e një materiali procedimor të lidhur me emrin e gjyqtares Marsela Balili, i cili referon në veprën penale të parashikuar nga neni 319/a i K. Penal Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë. Ky material procedimor, në atribut të organit të ndjekjes penale dhe konkretisht të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës është kërkuar të hetohet dhe është vlerësuar nga KLD të lejohet të hetohet. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vëren se në një shtet demokratik, politika penale e gjyqësorit nuk përjashton as vetë gjyqtarët dhe në koherencë me të, politika e proceseve vendimmarrëse duhet të mundësojë parimin kushtetues se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit..., - përfundon deklarata e KLD.

Letra e hapur e gjyqtares Balili

“Jam vënë në dijeni se me datë 02.12.2009 ora 11: 00 duhet të paraqitesha në KDL për të mu komunikuar një vendim. Meqenëse në këtë orë zhvillohej një gjykim ku do të dëshmonte i penduari Adriatik Coli, kam vijuar punën. Në orën 12:30 me paraqitet sërish shkresë nga KLD ku vihesha në dijeni se isha pezulluar nga detyra dhe ishte hequr imuniteti im si gjyqtare. Pra në të dy rastet vendimi ishte marrë dhe vetëm po më komunikohej. Meqenëse nuk më dhatë mundësinë të paraqitesha përpara KLD-së për shkak të mënyrës urgjente të veprimit, po JU drejtohem publikisht se duke mos e njohur ende vendimin e KLD-së edhe tani që po shkruaj, është vepruar në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e rrjedhura prej saj. Askush nuk mund të procedohet si për një çështje penale ashtu edhe për një procedim disiplinor, pa u dëgjuar më parë nga organi i procedurës dhe ky është një parim i sanksionuar në Kushtetutë (neni 42) dhe në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (neni 6).
Vendimi i KLD-së është tepër i nxituar për mënyrën se si është vepruar, kur rezulton se që prej datës 26.11.2009 Prokurorja e Përgjithshme ka njoftuar KLD-në për materialin procedurës. Ky Vendim nuk është aspak i shkëputur nga proceset që gjykoheshin nga ana ime dhe vjen në një kohë vendimmarrjesh kyçe për eksponentë të krimit të organizuar. Mjafton të përmend se ditën e nesërme, datë 04.12.2009, pritej të jepej vendim nga trupi gjykues që unë kryesoja në çështjen penale në ngarkim të të pandehurit Emiljano Shullazi, i hetuar dhe gjykuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Në mënyra të ndryshme është tentuar nga aktorët dhe faktorët e kësaj çështjeje që unë të shfaqja mendim në lidhje me pranimin ose jo të kësaj kërkese dhe në respekt të detyrës sime kam pritur datën e gjykimit që të shfaqja mendim dhe të jepja vendim. Papritur, me vendimin e djeshëm të KLD - se jam larguar nga dhënia e këtij vendimi vetëm dy ditë përpara.....”

Ky lajm është publikuar: 05/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›