Kasmi: KLD është kthyer në parti politike, të ikë Spahiu
Zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi pohon se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor duhej të merreshin në mbrojtje nga KLD. Ajo komenton mungesën e reagimit nga Presidenti dhe politizimin e KLD-së nga Kreshnik Spahiu
Znj.Kasmi, cili është vlerësimi juaj për akuzat ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor dhe letrën e tyre, për t’u marrë në mbrojtje nga KLD dhe Presidenti i Republikës?
Garantimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe moscenimi i dinjitetit dhe integritetit gjatë ushtrimit të detyrës së trupës gjyqësore është detyrë funksionale e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kushtetuta ka garantuar rolin mbikëqyrës, garantues dhe mbështetës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për gjyqësorin. Kjo garanci lidhet drejtpërsëdrejti me elementët e përbërjes së këtij organi kolegjial, kompetencat që i janë dhënë dhe nga aktet ligjore të miratuara, si dhe parashikimet konkrete procedurale që Këshilli i Lartë të Drejtësisë kryen në rastet e ndjekjes penale apo ndalimeve të gjyqtarëve. Në interpretim të nenit 137, nen aq i diskutuar në kuadër të imunitetit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë luan një rol parësor në mbrojtje të gjyqësorit. Imuniteti është një garanci për gjyqtarët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre dhe është Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ai organ kolegjial që vendos për dhënien e pëlqimit në rastet e ndalimit apo ndjekjes penale për gjyqtarët.
Në vështrim dhe interpretim të dispozitave kushtetuese, duhet Këshilli i Lartë i Drejtësisë ta kryejë këtë funksion në të gjitha rastet. Për më tepër, rasti për të cilin Këshilli i Lartë i drejtësisë duhet të kishte ushtruar kompetencat e tij në mbrojtje të trupës gjyqësore është i padiskutueshëm për vetë situatën që lidhet me dy fakte shumë të rëndësishme. Së pari; kjo trupë gjyqësore përbën kolegjin zgjedhor për përveç garantimit dhe mbrojtjes që rrjedh nga Kushtetuta dhe ligjet që rregullojnë pushtetin gjyqësor, por dhe nga dispozitat e Kodit Zgjedhor, duke i garantuar kësaj trupe një mbrojtje të posaçme. Së dyti; qëllimi për të cilën kërkohet mbrojtja është mbrojtja ndaj një sulmi politik, që passjell presion në ushtrim të funksioneve dhe duhet të ndalojë çdo institucionalizim që mundet t’i bëhet shpifjeve të një force politike. Nga ana tjetër, ligji për organizimin dhe funksionimin e Këshilli të Lartë të Drejtësisë në nenin 1 të tij parashikon shprehimisht se: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për mbrojtjen, emërimin, transferimin, shkarkimin, edukimin, vlerësimin moral e profesional, karrierën, dhe për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit”.
Mosndërhyrja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mbrojtje të Kolegjit Zgjedhor, është kundër ligjit dhe në kapërcim të kompetencave të dhëna nga ligji.
Në këtë mbledhje, Presidenti i Republikës, në cilësinë e kreut të KLD-së nuk ishte i pranishëm, ndërkohë që nuk pati ndonjë reagim, pasi anëtarët e Kolegjit i dërguan letrën...
Duhet të sigurohet mbrojtje maksimale për anëtarët e kolegjit zgjedhor. Çmoj se Kushtetuta dhe ligjet kërkojnë shprehimisht reagimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndaj çdo lloj shpifje dhe fyerje që cenon gjyqtarët. Prandaj, çdo arsye për mosreagim passjelll mosfunksionimin siç duhet të organit kolegjial.
Njëri prej anëtarëve të KLD-së, Besnik Imeraj deklaroi se ju nuk duhej të ishit e pranishme në mbledhje, pasi anëtar i KLD-së është Ministri i Drejtësisë. Cili është qëndrimi juaj?
Që nga data 25 prill e këtij viti, deri në emërimin e ministrit të ri, unë ushtroj kompetencat e ministrit në detyrë në vijim të aktit të kalimit të kompetencave. Kjo ishte pjesëmarrja ime e disatë në organe kolegjiale ne funksionin e ministrit.
Gjatë debatit në KLD, ju akuzuat këtë organ kolegjial si të politizuar. Cilat janë faktet që tregojnë se KLD është përzierë në politikë?
Në vijim të sa thashë më sipër, unë e shpreha shqetësimin tim si qytetare, por dhe si drejtuese e institucionit të drejtësisë shqiptare, se për herë të parë në këto vite kemi parë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të jetë shndërruar në forcë politike. Gjej rastin të bëj apel me forcë për marrjen e masave të menjëhershme, dhe për këtë kërkova publikisht dhënien e dorëheqjes, në mënyrë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të mos jetë pjesë e një politike që nuk përfaqëson qëllimin për të cilin është krijuar.
Publikisht kërkuat dorëheqjen e njerëzve që sollën politikën brenda këtij institucioni. Kujt i referoheni konkretisht?
Nënkryetarit të Këshilli të Lartë të Drejtësisë, për të gjitha rastet e përfshirjes së politikës në emër të një organi kolegjial. Ky organ kolegjial meriton të përfaqësojë vullnetin e të gjithë anëtarëve që e përbëjnë atë.
Mendoni se institucionet e ngarkuara me ligj, kanë bërë mjaftueshëm në drejtim të sigurisë dhe mbrojtjes së gjyqtarëve nga presionet e politikës?
Rasti konkret tregon qartë së zbatimi i ligjit dhe i shtetit të së drejtës në Shqipëri, duhet të forcohet në radhë të parë duke garantuar mbrojtjen dhe pavarësinë e gjyqësorit. Duhet të respektohet gjithë legjislacioni në fuqi, Kushtetuta dhe strategjitë e miratuara në drejtim të garantimit të vazhdueshëm në praktikë të mbrojtjes institucionale të trupës gjyqësore. Bisedoi: L.Bakillari