KLD bllokon emërimet e gjyqtarëve deri në përfundim të vlerësimeve
TIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi dje me propozim të Ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, bllokimin e emërimeve dhe promovimeve të gjyqtarëve të Faktit dhe Apeleve, derisa për ta të ketë përfunduar vlerësimi i aftësive të tyre. Ky institucion pohoi dje zyrtarisht se gjatë mbledhjes, anëtarët, pasi diskutuan në lidhje me nevojën për fokusimin e punës së Inspektoratit, vetëm në vlerësimin e aftësive të gjyqtarëve të Faktit dhe Apelit, në përfundim konsideruan të nevojshme që prioritet i punës të jetë përfundimi sa më parë i vlerësimit të aftësive të togave të zeza të dy Shkallëve të Para, për t’i paraprirë promovimeve dhe emërimeve të Këshillit në të ardhmen. Po kështu gjatë mbledhjes së djeshme, e fundit për këtë sezon, KLD konstatoi mbarimin e ushtrimit të detyrës, për shkak të mbushjes së moshës së daljes në pension, më datë 21 korrik 2010, të gjyqtarit të Korçës, Pëllumb Tare. Menjëherë pas kësaj, anëtarët e Këshillit vendosën të shpallnin publikisht një vend vakant për gjyqtar në këtë gjykatë. Gjithashtu, KLD vendosi të deklaronte mbarimin e mandatit katërvjeçar, të kryetares së Gjykatës së Shkodrës, Vabona Durraj, më datë 18 tetor 2010, pozicion të cilin gjithashtu e shpalli vakant. Më në fund, KLD pas shqyrtimit të kërkesave për delegime të gjyqtarëve, pohoi se organizoi shortin duke caktuar gjyqtarët sipas tij. fa.ma.