E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Prifti, ose ndershmëria si mënyrë jetese

Arben Duka

Në rendin ku jetojmë, të cilin nuk e ka sjellë në Shqipëri vetëm Dritani, pasurimi dhe falimentimi i individëve të ndryshëm është një fenomen që ndodh rëndom. Pikërisht në këtë këndvështrim ka njerëz edhe shumë më të pasur se Prifti, siç ka edhe shumë më të varfër. Pra, për mua ka rëndësi fakti se Dritan Prifti, ministër i vendit tim, deklaron me ndershmëri se ka fituar dhe si i ka fituar

Dritan Prifti njihet prej ko hësh në mjedisin shoqëror dhe politik shqiptar, si individ i deklaratave të forta dhe shumë të forta. Në pamje të parë, deklaratat e Priftit duket sikur janë të nxitura emocionalisht nga një moment i caktuar, po... kaq emocional. Po realisht ky përfundim është shumë larg së vërtetës. është fakt se Prifti i shpreh deklaratat e tij me pasion pakëz të tepruar, por ato kurrë nuk kanë qenë të diktuara nga momenti kur janë shprehur, por si një substancë e fortë dhe e pastër mendimesh dhe konkluzionesh të situra me shumë kujdes. Për të vertetuar të gjitha sa thashë pak më lart, do të sjell në kujtesën e lexuesit reagimin e Ilir Metës, pas deklaratës së vjetshme të fuqishme te Priftit, pa mbaruar numërimi i votave. Deklarata në favor të Berishës u quajt nga Meta si emocionale, por tani të gjithë e dimë që nuk qe aspak e tillë. Ai qëndrim qe rrjedhojë logjike e gjithë politikës shqiptare në kurriz të LSI-së dhe figurave të saj potente, që konkurronin për deputetë në kushte tmerrësisht të pabarabarta me kundërshtarët e fuqizuar artificialisht nga Kodi Zgjedhor i stisur, në mënyrë të posaçme për asgjësimin e pjesshëm të pluralizimit.
Rreth një vit pas kësaj deklarate në qiell të pastër, Dritan Prifti, në pozicionin e shtetarit të lartë, deklaron me Deklaratën e Tij të Pasurisë se ka shtuar pasurinë e tij një shumë të caktuar parash, duke bërë të ditur dhe origjinën e tyre. Për mua nuk ka asnjë rëndësi sasia e parave që ka fituar Prifti, mund të jenë edhe më pak ose mund të jenë edhe më shumë. Në rendin ku jetojmë, të cilin nuk e ka sjellë në Shqipëri vetëm Dritani, pasurimi dhe falimentimi i individëve të ndryshëm është një fenomen që ndodh rëndom. Pikërisht në këtë këndvështrim ka njerëz edhe shumë më të pasur se Prifti, siç ka edhe shumë më të varfër. Pra, për mua ka rëndësi fakti se Dritan Prifti, ministër i vendit tim, deklaron me ndershmëri se ka fituar dhe si i ka fituar. Logjika më e thjeshtë të thotë se në qoftë se këto s'do ishin para të pastra, më e pakta nuk do të deklaroheshin as në rrethin më të ngushtë, jo më të bëheshin transparente për gjithë publikun e gjerë e sidomos për opozitën, që i kërkon me qiri raste të tilla. Por opozita kësaj here nuk ka pasur nevojë as për qiri dhe as për pishtar, se deklarata e Priftit është bërë në dritë të diellit. Deklarimi i Dritan Priftit për pasurinë përkon me konceptin e tij, se ndershmëria është një mënyrë jetese, një mënyrë të menduari. Për të qenë më të saktë, ndershmëria është mënyra më e mirë e të jetuarit dhe e të menduarit. Por në jetë të jetës ndershmëria dhe e vërteta është qëlluar gjithmonë me gurë. Ajo është zhytur, por nuk është fundosur, është plagosur, por nuk ka dhënë shpirt.
Dhe gurët nuk vonuan, e nuk pushuan për asnjë çast kundër Dritan Priftit, mëkati i madhi i të cilit qe se kishte deklaruar me ndershmëri sa pasuri kishte. Pikërisht për këtë gjer tani shikojmë në mënyrë simbolike, nga një anë ndershmërinë e Dritan Priftit dhe nga ana tjetër "guraxhinjtë" e Edi Ramës. Në tymnajën e krijuar dhe nën rrebeshin e gurëve të katapulteve, kërkohet të injektohet përfundimisht në publik mendimi se çdo pasuri që vënë pushtetarët është patjetër e vjedhur ose e grabitur. Unë nuk jam ndonjë simpatizant i madh i pasanikëve, por para së vërtetës qëndroj gjithnjë në pozicionin "gatitu...". Dhe e vërteta, në rastin që analizojmë, është në krah të Dritan Priftit e për pasojë unë jam po aty.
Pikërisht nën rrebeshin e gurëve të guraxhinjve, Prifti shpërthen dhe u thotë atyre: "Dëgjoni këtu!..Unë kam kaq para dhe po i deklaroj, ndërsa Kryetari juaj ka shumë më tepër dhe i fsheh". Kjo është substanca e deklaratës së radhës së Priftit, ndërsa problem i përdorimit të narkotikëve nga ana e Ramës nuk besoj se ka qenë fare në axhendën e aksionit të Priftit. Ajo ka ardhur krejt spontanisht, por dhe krejt logjikshëm. Nuk është në synimin dhe formimin kulturor e shoqëror të Priftit, shkatërrimi i një individi, qoftë ky dhe nismëtari i sulmeve kundër tij, apo shefi i guraxhinjve të Kuvendit dhe foltoreve të tjera të improvizuara. Ai i revoltuar nga mungesa e ndershmërisë së kundërshtarit politik përdor thjesht një figurë letrare që quhet sarkazëm, për pasurinë e deklaruar të Ramës. Sarkazma gjithnjë e tejkalon humorin dhe është gati pranë së vërtetës. Sarkazma zakonisht buron nga një shpirt i ndezur fort, por thellësisht i pastër.
Nuk mund të them se Prifti thjesht e tha atë shprehje dhe tani gjithë historia ka mbetur aty. Realisht pasuria e Priftit s'ka të bëjë fare me përdorimin e narkotikëve nga Rama, po qe se ka ndodhur dhe ndodh akoma. Por ato teorikisht i lidh i njëjti moral, ai që quhet morali i politikës. Për mua është e turpshme shprehja që përdoret rëndom, se politika nuk ka moral. Po s'pati moral politika që drejton vendin, atëherë nuk duhet të kërkojmë moral në asnjë qelizë të vetme të shoqërisë. Po nuk mund të ketë moral politik pa ndershmëri njerëzore, në qoftë se ndershmëria nuk kuptohet në mënyrë të menduari dhe të jetuari.
Tani kundër Ramës kemi një akuzë konkrete nga një njeri konkret dhe jo dokudo, por mu në Kuvendin e Shqipërisë. Në qoftë se kjo gjë do të drejtohej kundër një individi të thjeshtë pa barrë politike dhe pushteti nuk do të klasifikohej fare si akuzë, por si një fakt dëshpërues, mbasi përdoruesit e narkotikëve konsiderohen dhe janë të sëmurë e nuk i dënon asnjë ligj, por një i sëmurë me barrë politike të madhe pushteti e politike është një risk shumë i madh për gjithë shoqërinë. Më e pakta që mund të të bëjnë këta "të sëmurë", kur janë me pushtet të madh dhe në drejtim, është të të hedhin në greminë.
Dritan Prifti nuk është fare i shqetësuar se fjala vjen toksikohet individi i thjeshtë, Edi Rama. Kjo është zgjedhja e tij. Por, është i shqetësuar se toksikohet kryetari i opozitës, që nesër normalisht pretendon të jetë Kryeministri apo Presidenti i vendit. Vetëkuptohet se ç'mënxyrë e tepërt do të qe kjo për Shqipërinë e telekosur.
Për sa kohë që nuk është vërtetuar gjë, për mua Rama është i pastër, por këto gjëra nuk vërtetohen kurrë në qoftë se i akuzuari nuk është i disponueshëm ta bëjë këtë gjë. Dhe realisht askush nuk e bën me dëshirë, por dhe forcërisht nuk mund t'i bësh teste një individi. Por unë do ta shikoja problemin më gjerë sesa vetëm te z.Rama. Jo vetëm ai, por të gjithë individët dhe politikanët që aspirojnë për postet më të larta të të gjitha pushteteve të Shqipëri, duhet të certifikohen nga një komision i posaçëm mjekësor, për të vërtetuar se janë të aftë mendërisht e fizikisht dhe të pamolepsur nga narkotikë e substanca të tjera që rregullojnë e ç'rregullojnë ekuilibrat mendorë e shpirtërorë të njerëzve. Në SHBA ky komision ekziston dhe funksionon.
Në përfundim do të theksoja se deklarata e Priftit kundër Ramës, edhe pse në dukje personale, është shumë më e gjerë dhe i vjen në ndihmë politikës dhe të ardhmes në Shqipëri, dhe se ai, Prifti duke e kthyer ndershmërinë dhe të vërtetën mënyrën e tij të jetesës, nuk ka humbur, por përkundrazi, ka dalë më i fortë politikisht, shoqërisht dhe ekonomikisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›