Marrëveshja, Tirana bëhet me “dy koka”
Pas shumë mosmarrëveshjesh për sa i përket faktit se kush do të drejtonte, më në fund është arritur që të gjendet gjuha e përbashkët. Sipas burimeve nga klubi, të dyja palët tashmë kanë rënë dakord, duke risjellë paqen te Tirana. Kjo i hap rrugë një funksionimi normal tek bardheblutë, pas shumë problemeve që e kishin burimin nga ky shkak. Në mbrëmjen e së mërkurës u zhvillua një mbledhje midis presidentit Halili, shefit të klubit Dimraj e teknikut Starova. Qëllimi ishte që të përfundonte çështja e menaxhimit të klubit. Vetë Halili, kishte vënë si kusht që t’i jepej e drejta që të menaxhonte bardheblutë dhe më pas ai do të financonte paratë për klubin. Por çuditërisht sipas Dimrajt një gjë e tillë nuk pranohej, pasi ishte në kundërshtim me ligjet e vendit. Para disa ditësh u zhvillua një takim midis kryetarit të Bashkisë Edi Rama si dhe Halilit, ku u vendos që ky i fundit të merrte sërish kompetencat e presidentit dhe të ishte ai që do të bënte ekipin. Dhe vendimi i tij mori formë përfundimtare në mbrëmjen e dy ditëve më parë. Në bazë të marrëveshjes, janë plotësuar dëshirat e presidentit Halili, si dhe të atij të klubit Dimraj. Kjo pasi të dy do të kenë të drejtën e vulës dhe të firmës, si dhe të vendimmarrjeve në klub. Kështu, që tek Tirana asgjë nuk do të bëhet pa miratimin e tyre. Ndërkohë që pas këtij vendimi, presidenti do të shpenzojë më shumë për ekipin. Përveç shumës së 200 milionë lekëve, të detyruara të jepen në bazë të kontratës, pritet që Halili të derdhë më shumë për të mbajtur futbollistët si dhe të bërë blerjet e reja. Më parë, ishte vetëm shefi i klubit ai që mund të vendoste dhe të firmoste duke përfaqësuar klubin, ndërkohë që nga ana tjetër, kontratat lidheshin me presidentin Halilin. Por në fund ishte Dimraj, ai i cili vuloste dhe firmoste për Tiranën. duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhte më. Menaxhimi i klubit ishte pikënisja e gjithë problemeve tek bardheblutë, të cilat çuan më pas në largimin e pesë titullarëve nga ekipi. Por me këtë marrëveshje të arritur do të zgjidhet çështja e kontratave të lojtarëve, siguria financiare nuk është më problem si dhe do të jetë e mundur që të bëhen blerjet e duhura në merkato.