KLD hetim gjyqtarit te Elbasanit

Inspektorët e Këshillit të Lartë të drejtësisë kontrollojnë dosjet e gjyqtarit Xheladin Karkini, në Elbasan. Inspektimi ka të bëjë me faktin që gjyqtari Karkini njihet për mos zbardhjen e vendimeve gjyqësore. Kontrollet nuk kanë të bëjnë me konfliktin që gjyqtari ka me avokatin Bujar Dyrmishi dhe që degjeneroi deri në dhunë një ditë me parë. Karkini prej vitesh është akuzuar nga qytetarët, avokatët dhe prokurorët e rrethit të Elbasanit se nuk zbardh vendimet gjyqësore e kryesisht ato civile, mos zbardhje, të cilat arrinin edhe deri në 3 vjet. Për shkak të konflikteve të vazhdueshme dhe problemeve që gjyqtari krijonte, gjykata e Elbasanit kërkoi KLD në kohën që në krye të saj ishte Bamir Topi dhe Kreshnik spahiu që të merreshin masa ndaj gjyqtarit Xheladin Karkini. Megjithë kërkesat për masa disiplinore ndaj tij, ish presidenti Bamir Topi dhe numri dy i KLD-së Kreshnik Spahiu nuk ndërmorën asnjë hetim ndaj tij. E njëjta kërkesë për masa displinore ndaj gjyqtarit Karkini është bërë sërisht në KLD vetëm disa ditë më parë. Duke marrë shkas vendimi i pazbardhur që lironte Ilir Xhakjan, por edhe ankesat e gjykatës së Elbasanit Nënkryetari i ri Elvis Çefa ka urdhëruar inspektimin e gjyqtarit Xheladin Karkini për të cilin ka ankesa. Në mbledhjen e datës 14 shtator Çefa ka kërkuar që të bëhet inspektim në të gjitha gjykatat e vendit për raste të mos zbardhjeve të vendimeve gjyqësore.