Ulet papunesia ne nivel kombetar
Papunësia në nivel kombëtar ka shënuar rënie. Ky është konstatimi që jep Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, sipas drejtuesve të së cilës turizmi ka rritur punësimin sezonal. Ministria, duke iu referuar edhe shifrave të INSTAT theskon se në sektorin e turizmit janë regjistruar dhe ushtrojnë aktivitet 17,113 subjekte. Po, sipas burimeve të ministrisë gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti rritje ka shënuar edhe punësimi në sektorë si teknologjia e informacionit, industrisë përpunuese dhe ajo e shërbimeve. Për periudhën janar-korrik 2012 në 36 zyrat e punësimit (në të gjithë vendin) janë shpallur 10,000 vende të lira pune, ku 43.8% i përkasin industrisë përpunuese, 12% sektorit të informimit dhe komunikimit, ndërtimit 10.8% dhe shërbimeve 7.67%. Sipas të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, zyrat e punës nëpërmjet shërbimit ndërmjetësues mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës kanë arritur të plotësojnë 70% të vende të lira. Sipas kësaj drejtorie për periudhën e mbetur të vitit shërbimet publike të punësimit do të jenë të fokusuara tek realizmi i programeve të nxitjes së punësimit, si dhe tek bashkëpunimi më i ngushtë me biznesin me qëllim plotësimin e vendeve të lira me punëkërkues të kualifikuar, veçanërisht në profesionet që janë më të kërkuara sot në treg.