KLD-ja emëron gjyqtarët në Tiranë e Durrës

Reforma në sistemin gjyqësor, që mban firmën e Presidentit Bamir Topi, i cili vendosi numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve në rang republike, ka përcaktuar emrat që transferohen në Gjykatat e Tiranës dhe Durrësit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka votuar në mbledhjen e djeshme transferimet e gjyqtarëve. Sipas burimeve brenda KLD-së mësohet se transferimet janë arsyetuar nga këshilli. Në këtë mbledhje është unifikuar politika e lëvizjeve që krijon në sistemin gjyqësor ky riorganizim, duke përcaktuar metodën konkrete të lëvizjeve, sipas së cilës transferimi i gjyqtarëve në gjykata është bërë me pëlqimin e tyre. Anëtarët e KLD-së, në bazë të rregullave mbi riorganizimin e sistemit gjyqësor, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës së numrit të ri për çdo gjykatë të shkallës së parë dhe të apelit, votuan për preferencat e tyre. Bie në sy që disa inspektorë të KLD-së janë emëruar gjyqtarë në Durrës dhe Tiranë, ndërsa pas përcaktimit të emrave që janë transferuar në gjykatat elitë, një tjetër fazë do të kryhet për të plotësuar vendet vakante që kanë lënë këta gjyqtarë në gjykatat që kanë punuar deri dje.
DekretiKLD-ja e cilëson me rëndësi të veçantë situatën e re të krijuar në pjesën më të madhe të gjykatave të shkallës së parë dhe apeleve, organika e të cilave ka ndryshuar me dekret të Presidentit të Republikës. “Dekreti ka krijuar vende të reja në disa gjykata të faktit dhe të apelit në rrethe kryesore, duke ngushtuar numrin në disa gjykata të tjera. Procesi që do të vijojë është vlerësuar me rëndësi të madhe, pasi jo vetëm zgjidh përfundimisht problematikat shumëvjeçare të ngarkesave të disa gjykatave që nuk arrijnë të përballojnë në kohë gjykime të dosjeve, por u jep fund edhe delegimeve të panumërta të gjyqtarëve”, thanë burimet nga KLD-ja. Sipas tyre, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në disa mbledhje të mëparshme ka diskutuar mënyrat e lëvizjes së gjyqtarëve nëpër gjykata, lëvizje e cila pritet të përfshijë me dhjetëra gjyqtarë. Në këtë proces riorganizimi, Këshilli i Lartë i Drejtësisë po operon me një frymë bashkëpunimi midis anëtarëve të tij që përfaqësojnë Parlamentin, Gjyqësorin dhe Ministrinë e Drejtësisë, si dhe Kryetaren e Gjykatës së Lartë, gjithnjë nën drejtimin e Presidentit të Republikës.
ReformaReforma në sistemin gjyqësor po prek gjykatat kryesore në Shqipëri, ku është parashikuar që një pjesë e mirë e gjyqtarëve të lëvizin. Më e prekura nga reforma e miratuara nga Presidenti i Republikës do të jetë Gjykata e Tiranës, ku parashikohet të ndryshohet një e treta e gjyqtarëve. Në këtë gjykatë, Presidenti Topi ka caktuar që për vitin 2010 të shtohen 11 gjyqtarë, të cilët do të merren nga gjykatat e rretheve. Ndërsa një pjesë e mirë e anëtarëve të kësaj gjykate pretendojnë për të shkuar në Gjykatën e Apelit, çka do të hapte vende të reja të lira, të cilat do të plotësohen nga gjykatat e rretheve. Parashikohet një rokadë e gjithë sistemit gjyqësor në rang republike. Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë kanë realizuar një studim të të gjitha lëvizjeve në rang republike, nga ku rezulton se janë rreth 100 gjyqtarë nga 350 të tillë në Shqipëri që do të ndryshojnë vendet e punës. Pas 14 viteve, sistemi gjyqësor shqiptar do të pësojë ndryshime drastike, ku do të realizohet një rokadë emrash në të gjithë Shqipërinë.
#