E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiperi- Itali, kapen 1155 kg droge, 7 ne pranga

TIRANE Një koordinim i mirëorganizuar nga policia shqiptare dhe Guardia di Financa ka bërë që sasia prej 1. 1155 kg kanabis të mos përfundonte në tregun e shitjes përtej Adriatikut.

Vetë drejtori i policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka dalë në një konferencë për shtyp për të dhënë detajet e këtij operacioni i cili natën e mbrëmshme ka angazhuar njëkohësisht policitë e dy shteteve në Lece të Italisë dhe në Memaliaj në Shqipëri
Policia informon se nga operacioni i përbashkët është bërë i mundur bllokimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike prej rreth 1 ton e 115, 5 kg, si dhe arrestimi i 7 personave.

“Operacioni i rëndësishëm është zhvilluar mbrëmë, pas konstatimit nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare të mjeteve të shpejta lundruese të cilët po lëviznin në ujërat detare Sapo ato janë konstatuar nga strukturat e Policisë së Shtetit u morën masat për organizimin e punës me qëllim bllokimin e tyre.

Duke dhënë koordinatat e sakta të lëvizjes së mjeteve lundruese policia e shtetit ka kërkuar ndihmën e Guardia Di Finanzia dhe Interforza për ndalimin e mjeteve lundruese të cilat transportonin lëndën narkotike. Për të njëjtin qëllim- policia ka informuar dhe autoritete policore greke.

“Në sajë të këtij bashkëpunimi të suksesshëm u bë i mundur bllokimi në zonën e Leçes në Itali i një sasie prej rreth 900 kg lëndë narkotike cannabis sattiva, si dhe kapja e 3 shtetasve shqiptarë,”- thuhet në njoftimin për shtyp, ndërsa nuk bëhen të ditur emrat e të arrestuarve.

Operacioni i antidrogës ka vazhduar më pas në tokën shqiptare. Policia informon se sasia prej 215.5 kg lëndë narkotike e cila ishte sekuestruar mbrëmë në Memaliaj, ishte pjesë e këtij operacioni.

Lënda narkotike u kap në flagrancë mbrëmë rreth orës 23.00’ në Memaliaj, në urën e Lumit Vjosë. Në pranga të policisë përfunduan Eduart Kujtim Lushkaj, 20 vjec, Eglivan Novruz Atija, 28 vjec, Selami Hamet Lushkaj, 37 vjec, të tre nga rrethi i Fierit, si dhe Andi Hysni Kurti, 41 vjec banues në Tiranë. Sipas policisë të katër të arrestuarit ishin me precedentë penalë.
Policia thotë se të arrestuarit po transportonin lëndën narkotike prej 215, 5 kg nga Tepelena në drejtim të Fierit e më pas në Vlorë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se lënda do të trafikohej jashtë vendit në drejtim të Italisë.

Në njoftimin e saj për shtyp policia e Shtetit informon se vetëm muajin e fundit nga strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe me autoritetet policore të vendeve fqinje është bërë i mundur sekuestrimi i një sasie prej rreth 4,5 ton marijuanë.

Policia thotë më tej se objektiv i saj është sekuestrimi i të gjithë sasisë së lëndës narkotike të prodhuar në Lazarat apo gjetkë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›