E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja gjen shkelje të rënda në Shkallën e Parë

Sipas inspektorëve, gjyqtarja e Gjirokastrës, Mirela Kora, dyshohet se ka kryer falsifikim të dosjes, duke mos referuar në të procesverbalet e seancave


Shkelje janë gjetur edhe në disa gjykata të tjera, ndërsa priten procedimet disiplinore konkrete ndaj gjyqtarëve


TIRANË- Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë thuajse ka përfunduar kontrollin në të gjitha Gjykatat e Shkallës së Parë në vend, mbi shkeljet e gjyqtarëve dhe vlerësimin tyre në zbatimin e ligjit për karrierën. Ky lajm bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë anëtarëve të KLD-së, të cilët shtuan se raporti përfundimtar i kontrollit po përpilohet nga zyra e kryeinspektorit të këtij institucioni që më pas do t'i dorëzohet Ministrisë të Drejtësisë për propozimin për masa disiplinore ndaj gjyqtarëve me shkelje. Sipas këtyre burimeve, mësohet se gjykatat, ku janë konstatuar shkelje më të rënda, është ajo e Vlorës, Durrësit dhe Gjirokastrës, duke mos përjashtuar këtu edhe disa gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, Elbasan e Fier.


"Rastet më flagrante dhe që janë evidentuar në raportin e inspektorëve në terren dhe që ndodhen në duart e kryeinspektorit të KLD-së, janë rastet e konstatuara në Gjykatën e Gjirokastrës, Vlorës, Durrësit etj. Në Gjykatën e Gjirokastrës, është evidentuar një rast flagrant kur përveç zvarritjeve të pafund të seancave gjyqësore, gjyqtarja Mirela Kore në Gjirokastër, dyshohet se ka falsifikuar edhe tre procesverbale të seancës gjyqësore të një dosjeje civile, ku si palë kanë qenë një biznesmen dhe Drejtoria e Doganës.


Rast ky i konstatuar gjatë kontrollit të dosjes, ku në fund të fashikullit të gjykimit janë gjetur tre procesverbale të seancave gjyqësore tepër nga ato që ishin evidentuar në dosje. Për këtë fakt, inspektorët e KLD-së kanë mbajtur një procesverbal të caktuar, ku kanë firmosur kancelari, sekretarja e gjyqtares, kryesekretarja dhe vetë gjyqtarja bashkë me inspektorët,- thuhet nga burimet pranë KLD-së.


Ky rast, sipas burimeve, do t'i propozohet Ministrit të Drejtësisë për masë disiplinore "shkarkimin nga detyra" dhe "ndjekje penale". Ndërkaq propozimet, pritet të vlerësohen dhe verifikohen nga dikasteri i drejtësisë, që më pas do t'i drejtohet anëtarëve të KLD-së për "ndëshkimin" e kësaj gjyqtareje. Vetë kjo gjyqtare e kontaktuar nga gazeta "Shekulli", nuk ka pranuar të reagojë në lidhje me këtë shkelje që pretendohet se është gjetur nga inspektorët e KLD-së. Gjithashtu, burimet pranë anëtarëve të KLD-së konfirmuan se "me shkelje të rënda janë evidentuar edhe dy trupe gjykuese të qytetit të Vlorës dhe Durrësit, ku gjyqtarët janë shprehur me vendim pa qenë i pranishëm gjyqtari i tretë i kësaj dosjeje, i cili ka firmosur në ditën tjetër pasi ditën e vendimit ka qenë pushim". Ndërkaq, pranë Gjykatës së Elbasanit dhe Tiranës, mësohet se janë evidentuar shkelje të ndryshme tek disa gjyqtarë, ndaj të cilëve mendohet se do procedohet vetëm me masa administrative.

Arsye e inspektimit të këtyre Gjykatave kanë qenë ankesat e dhjetëra qytetarëve të cilët janë përballur me parregullsi të ndryshme në çështjet e tyre të gjykuara pranë Gjykatave përkatëse. "Anëtarët e KLD-së kanë miratuar kryerjen e këtij inspektimi tematik, objekt i së cilit ishte kontrolli i zhvillimit të seancave gjyqësore në respektim të solemnitetit gjyqësor, reflektimit të etikës gjyqësore, zhvillimit të gjykimeve në orar dhe disiplinës në punë, pasi kishte një numër të madh ankesash. Ky inspektim, është vendosur kohë më parë në një nga mbledhjet e anëtarëve të KLD-së, të cilët në mënyrë unanime ishin dakord për këtë inspektim të përgjithshëm",-thanë burimet pranë zyrës së Inspektoratit të KLD-së.

Veç evidentimit të shkeljeve të gjyqtarëve, inspektorati i KLD-së gjatë këtij kontrolli ka kryer edhe vlerësimin profesional të gjyqtarëve, që do të jetë përzgjedhës në promovimin e gjyqtarëve me rezultatet më të mira brenda sistemit dhe seleksionues për evidentimin e largimin e togave të zeza, që në përfundim të vlerësimit do të rezultojnë të paaftë. Të kontaktuar nga "Shekulli" zyra e shtypit pranë KLD-së nuk ka preferuar të shprehet zyrtarisht mbi përfundimin e këtij kontrolli.


Paraditen e së hënës, rreth orës 10:00, pranë ambienteve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të zhvillohet mbledhja e radhës mes anëtarëve të këtij këshilli, ku pritet të zgjedhin kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, vend vakant ky që nga dorëheqja e gjyqtarit Ablert Meçe. Gjithashtu, mësohet se gjatë mbledhjes së ditës së hënë, do të vazhdohet me procedimin e gjyqtarëve të propozuar nga Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj mbi shkeljet e konstatuara nga Inspektorati i KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›