Rama: Krerët vendor të mos guxojnë të prekin votat e shqiptarëve
Nga Berati dhe Skrapari Rama u ka bërë thirrje banorëve të këtij qarku të mos ndajnë votat për partitë e tjera
E ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratonte dje me forcën e kartonëve kalimin e një numri të konsiderueshëm qendrash votimi në ambiente private të militantëve të PD-së, kreu socialist nga qarku i Beratit, ku ka vijuar fushatën e tij elektorale, u ka bërë thirrje drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore që të heqin dorë nga vota e shqiptarëve. "I bëj thirrje komunarëve të djathtë mos t'u shkojë mendja të prekin votat pasi do të përballen menjëherë pas zgjedhjeve me drejtësinë duke u ndjekur penalisht. Unë i bëj thirrje atyre të lënë kryeplakun e politikës së vjetër në fatin e tij që është humbja në zgjedhjet e 28 qershorit", - tha kreu socialist në takimin elektoral në qytetin e Çorovodës, ku dhe nisi turin e tij në këtë qark.
Gjatë takimit me qytetarët e këtij qyteti Rama ka kërkuar votat për tetë deputetët e majtë të këtij qarku, ndërkohë që iu ka bërë thirrje banorëve të Skraparit që të mos ndajnë votat siç bënë në zgjedhjet e shkuara, zgjedhje të cilat sipas tij sollën Berishën në pushtet. Ai u ka kërkuar skrapalinjëve që të votojnë kandidatët e majtë me qëllim e vetëm për t'i dhënë fund politikës së vjetër.
"Jam këtu për t'ju bashkuar dhe jo për t'ju ndarë. Me fitoren e socialistëve Skrapari do të lidhet me tre urat dhe ndërkohë do të risim investimet brenda mandatit të parë të qeverisjes socialiste, aq sa është investuar gjatë gjithë 18 viteve në këtë rreth nga politika e vjetër", - tha kreu socialist në qytetin e Çorovodës. Pas Skraparit kreu i socialistëve është ndalur në një takim të zhvilluar me banorët e qytetit të Beratit, ku u kërkoi votat për kandidatët e kësaj partie, duke i cilësuar ata si të zgjedhurit që i duhen këtij qyteti.
"Takimi i sotëm me ju është fytyra e ndryshimit, e fitores që po vjen, fytyra e qytetarisë beratase që po i vë vulën ndryshimit pas Vlorës, Gjirokastrës e mbarë vendit. Beteja e 28 qershorit nuk është beteja e radhës mes një partie e një tjetre, nuk është beteja për largimin e një kryeministri, por është beteja për të hapur një epokë tjetër, është beteja për t'i dhënë fund një qeverisje që s'meriton të ketë vendi", - tha Rama në Berat. Ndërkohë Rama është angazhuar për të ndryshuar jetën e shqiptarëve dhe për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë të familjes evropiane.
"Sot nuk nga ky shesh nuk ju premtoj, por angazhohem solemnisht se vitin e ardhshëm për familjet e emigrantëve dhe për çdo qytetar të këtij vendi do të ketë liberalizim të vizave. Dhe tetë ditë na ndajnë nga ndarja me të shkuarën për t'i dhënë Beratit e gjithë vendit zhvillimin që i duhet për t'u zhvilluar me fuqinë e ëndrrës. Dhe tetë ditë mbetet që të nisim të ndërtojmë një shtet që i jep drita, ujë qytetarëve të tij, që mbron dinjitetin dhe pronën", - u shpreh Rama.