KLD propozon emërimin për 10 gjyqtarët magjistratë

TIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) propozoi dje emrat e 10 magjistratëve të rinj në 10 vendet vakante në gjykatat e rretheve. Në mbledhjen e djeshme KLD-ja, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, emërimin përfundimtar të dhjetë magjistratëve kandidatë për gjyqtarë, të cilët kanë përfunduar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës 2007-2008 Burime zyrtare nga KLD bënë të ditur se, Rezarta Mataj dhe Enerjeta Deraj janë propozuar për t’u emëruar në Gjykatën e Kavajës, Sonjela Voskopi dhe Vojsava Osmani në Gjykatën e Korçës, Esmeralda Ceka në Gjykatën e Lushnjës, Alma Hoxha në Gjykatën e Krujës, Gentian Hamiti dhe Matilda Shalla në Gjykatën e Fierit, Irida Kacerja në Gjykatën e Shkodrës dhe Ervin Trashi në Gjykatën e Gjirokastrës.
Këto vende u vunë në dispozicion të magjistratëve në mbledhjen e mëparshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të datës 9 mars 2009.
Në paraqitjen e çdo propozimi individual, Këshilli i Lartë i Drejtësisë konsideroi në koherencën më të mirë të mundshme, renditjen e magjistratëve sipas vlerësimit përfundimtar nga Shkolla e Magjistraturës dhe preferencat e shprehura prej tyre, kërkuar nga ana e Këshillit disa ditë më parë.