E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i Shkrelit, abuzimet në procesin me 53 të dënuar

Alfred Pllumbi

Alfred Pllumbi: Ambasada Britanike, e shqetësuar për vendimin.

Shoqata e Fermerëve: Vendimi ilegal për kërpin industrial.

Gjyqi i Shkrelit ka përfshirë dhe Ambasadën Britanike. Koordinatori i shoqatës britanike Partneritet për rritje dhe shoqatës së Fermerëve të Shkrelit, Alfred Pllumbi, deklaroi dje se vendimi për dënimin e 53 personave nga Gjykata e Shkodrës është i jashtëligjshëm. Ai deklaroi dje se çështja është apeluar dhe, bashkë me avokatët, kanë reaguar dhe përfaqësues të ambasadës, pas cenimit të një prej kompanive të vendit të saj.
Cili është reagimi juaj pas vendimit të Gjykatës së Shkodrës për dënimin e 53 personave nga Shkreli me akuzën e kultivimit të kanabis sativës?
Vendimi ishte i jashtëligjshëm, pasi, sikurse e ka cituar Gjykata e Lartë me vendimin e saj të datës 27.12.2011, që ia kalon për kompetencë përsëri për ta gjykuar këtë çështje Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Prokuroria është bazuar vetëm në prova të njëanshme dhe nuk ka marrë parasysh provat e të akuzuarve, të cilët kanë qenë duke mbjellë kërp industrial dhe jo bimë narkotike, sikurse akuzohen. Ne jemi shumë të zhgënjyer nga kjo padrejtësi shumë e madhe që u bëhet fermerëve, të cilët nuk kanë bërë asgjë të jashtëligjshme, veçse në pronat e tyre kanë mbjellë një bimë që lejohet në të gjitha vendet perëndimore dhe Europën Juglindore. Ky vendim është një dhunim ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pasi është mbështetur në analiza të cilat janë marrë pa prezencën e inspektorëve të Entit Shtetëror të Farërave. Këta janë dhe specialistët kompetentë për të dhënë përgjigjen zyrtare se cilës familje i përket bima dhe se çfarë përqindje ka ajo. Edhe inspektorët e Bujqësisë së Malësisë së Madhe, që varen nga ky Ent, në vitin 2007 u kanë dhënë letër zyrtare fermerëve të Shkrelit, që konfirmojnë se bima që ka hyrë në Rinas është pjesë e familjes së kërpit industrial. Pasi çështja u kthye në fakt, të ndier në faj se kanë shkelur ligjin, siç e vë në dukje dhe Gjykata e Lartë, gjyqtarët bëjnë një shkelje më të madhe të ligjit, duke dhënë një vendim diskriminues.
Keni qenë ju pjesë e seancave gjyqësore?
Në proces kanë qenë disa nga fermerët e akuzuar. Ata dhe presidenti i shoqatës, Martin Pllumbi, i kanë paraqitur Prokurorisë që në fillim të hapjes së procesit hetimor, në vitin 2008, prova të mjaftueshme, që vërtetojnë katërcipërisht se bima e mbjellë ka qenë kërp industrial. Por Prokuroria dhe Policia e antidrogës kanë shkelur ligjin duke hapur një proces hetimi fals, duke u bazuar në prova të pambështetura në ligj. Ata kanë marrë mostra të materialit bimor në mënyrë flagrante, duke shkelur ligjin, pa prezencën e inspektorit të farërave dhe duke shkelur udhëzimin e datës 3.5.2007, i firmosur nga ministri i Brendshëm dhe i Bujqësisë mbi kontrollin e subjekteve që mbjellin kërp industrial. Në gjyqin e fundit, dy prej tre anëtarëve të trupit gjykues (pasi njëri nuk ishte dakord) morën parasysh vetëm provat e njëanshme dhe false të Prokurorisë dhe Policisë së Antidrogës. Në vitin 2008, Prokuroria e Policia e Shkodrës e kanë sekuestruar bimën dhe kanë marrë prova për analiza pa u lënë material bimor për krahasim fermerëve. Dhe, kur janë bërë analizat, nuk janë thirrur të akuzuarit.
Çfarë dokumentesh dispononi se bima është kërp industrial?
Së pari, mbi mënyrën e ardhjes së farërave në formë ligjore, e cila është zhdoganuar në vitin 2004 dhe çdo vit është riprodhuar nga fermerët. Ekspertët e Entit të Farërave kanë bërë ekspertizën e farës kur ajo mbërriti në Shqipëri dhe, në bazë të dokumenteve shoqëruese të farës, siç është certifikata e analizës, e origjinës dhe certifikimi i tyre nga OECD dhe e miratuar në Katalogun Zyrtar të Specieve dhe Varieteteve, që lejohet mbjellja e kërpit industrial. Gjithashtu, presidenti i shoqatës, Martin Pllumbi, ka nënshkruar një kontratë ligjore bashkëpunimi për të  parandaluar abuzimet e mundshme të fermerëve me këtë bimë.
Ju thatë që janë 2 gjyqe që po zhvillohen paralelisht…
Po, dhe ky është një tjetër absurditet. Njëri proces vazhdon që në vitin 2005, me shkelje dhe ai. Ekspertimi toksikologjik në Tiranë i bërë në janar 2006 zyrtarisht konfirmonte se provat e mbetura pas analize ruhen deri në qershor 2006. Ndërsa Policia e Shtetit i ridërgoi mostrat për analizë në maj 2007, në Itali, pa lajmëruar palën e akuzuar, pasi çështja ishte mbyllur nga Prokuroria në dhjetor 2006. Megjithatë, edhe analiza e bërë në Itali tregoi zyrtarisht se bima nuk cilësohej si lëndë narkotike.
Në çështjen për kultivimin e kërpit në periudhën 2005-2007 vazhdojnë të gjykohen 22 persona. Edhe pse çështja ka kaluar në disa shkallë, që prej vitit 2009 Gjykata e Shkallës së Parë ende nuk ka marrë vendim. Tjetër çështje është ajo e nisur në vitin 2008, ku u dënuan 53 persona për të njëjtën çështje, 12 prej të cilëve janë në çështjen e parë. Një tjetër fakt ky, që gjithçka është false.
Cilat janë argumentet e Prokurorisë?
Prokuroria këmbëngul që bima e mbjellë në Shkrel e kalon 0.1 të THC, çka ligji shqiptar e ndalon sepse e cilëson kanabis sativa, por nuk e cilëson në fakt se cilës bimë i përket kërpi industrial. Kjo bie ndesh dhe me Katalogun e Ministrisë së Bujqësisë, që thekson lejimin e mbjelljes së kanabis sativa L, pa përcaktuar përqindjen, mjafton që të bëjë pjesë në kërp industrial L. Në praktikë, kjo përqindje mund të kalohet nga bima nga kushtet tokësore apo kimikatet. Mund të them që 0.1% të THC e kalojnë dhe bimët që konsumohen çdo ditë, si: domatja, qepa etj.
Çfarë do bëni pas vendimit të gjykatës?
Në bashkëpunim me shoqatën britanike kemi apeluar vendimin e jashtëligjshëm të Gjykatës së Shkallës së parë dhe shpresojmë që Gjykata e Apelit tu japë pafajësi të plotë fermerëve, pasi shkeljet e bëra nga Gjykata e Shkallës së Parë janë aq të shumta, sa nuk munden ti pranojë as sistemi më i rëndomtë në botë. Ambasada Britanike nga ana e saj po e ndjek me shumë kujdes situatën dhe është shumë e shqetësuar që nga ky vendim i gjykatës është vënë në pikëpyetje roli dhe ndershmëria e një shoqate me reputacion në Britaninë e Madhe, siç është Partneritet për rritje. Ambasada ka qenë në dijeni të plotë që në Shkrel, kjo shoqatë me fermerët atje ka mbjellë dhe zhvilluar kërp industrial.   el.do

Shkrel, asnjë kërp i mbjellë që prej 2008
Hera e fundit kur është mbjellë kjo bimë, është rasti i vitit 2008, kur Prokuroria e Shkodrës nisi një tjetër proces ndaj fermerëve. Ne kemi vendosur që të zgjidhim gjithë akuzat false që na janë ngritur. Do presim dhe që Shqipëria të bëhet vend kandidat për BE që të reformohet sistemi i Drejtësisë dhe të mos ketë njerëz të paaftë që shpallin akuza të pabazuara në ligj, shprehet Pllumbi.

Shoqatat fituan nga gjykata dëmshpërblimin
Shoqata e Fermerëve të Shkrelit dhe ajo britanike, pasi u dëmtua projekti i vitit 2001, me asgjësimin e thuajse 1 toni bimë, hodhi në gjyq Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit për dëmshpërblim. Gjyqi u fitua në tri shkallët, duke caktuar një masë dëmshpërblimi prej 111 mijë dollarësh. Vendimi i Gjykatës së Lartë u mor më 3 mars 2011. Kjo është një tjetër provë sipas Pllumbit, që mjafton për të mbyllur të gjitha akuzat e ngritura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›