Plakja e popullsisë, mosha e tretë në rritje
Studimi: Pas 10 viteve, 14% e shqiptarëve do të jenë në moshën e tretë
Mosha e tretë në vendin tonë po shkon drejt rritjes nga viti në vit, ritme këto që deri në vitin 2020 do ta bëjnë popullsinë shqiptare të plakur. Ndonëse për 20 vjet rresh populli shqiptar është konsideruar si një prej popujve më të rinj të Europës, në vitin 2020 edhe ne do të jemi të destinuar të konsiderohemi si një popull i plakur. Sipas një studimi të bërë publik një ditë para ditës simbolike të të moshuarve, llogaritet që pas 10 viteve, 14% e shqiptarëve të jenë në moshën e tretë. Ndërkohë që për të shkuar më tej, në vitin 2050, kjo grupmoshë do të jetë pothuajse shumica. Po ndërsa të moshuarit shtohen, rritet edhe nevoja për përkujdesjen e tyre nga shteti. Dendada Seferi, drejtore e Politikave Sociale në Ministrinë e Punës, thotë se vitet e fundit ka një rritje të personave të moshuar që kërkojnë strehim në OJF, apo në rastin më të keq azil. Me rastin e 1 Tetorit - Ditës Ndërkombëtare të Moshës së Tretë, Ministria e Punës organizoi dje me mbështetjen e UNFPA konferencën kombëtare për moshimin. Ministri i Punës, Spiro Ksera, u shpreh se “Shërbimet shoqërore për të moshuarit në vitet që pasojnë do të ndodhen përpara një sfide që lidhet me parashikimin e jetëgjatësisë së banorëve të tokës deri në vitin 2050, ku numri i banorëve mbi 65 vjeç do të arrijë në 1,5 miliardë”. Sipas tij, rrjedhimisht, numri i të moshuarve që do të kenë nevojë për shërbime shoqërore do të rritet, po kështu edhe numri i punonjësve socialë që do të ofrojnë shërbime si dhe i institucioneve të përkujdesit të të gjitha tipologjive. Përfaqësuesja e UNFPA, Manuela Bello, vuri në dukje domosdoshmërinë e ridimensionimit të politikave për moshën e tretë, në një shoqëri globale, ku plakja e popullsisë po ecën me ritme të shpejta, ritme që, sipas saj, në vendet në zhvillim janë edhe më shqetësuese. Profesor Edmond Dragoti, përfaqësues i Fakultetit të Shkencave Sociale, vuri në dukje rëndësinë që merr trajtimi jo vetëm ekonomik, por edhe social i të moshuarve, në mënyrë që jetesa e tyre të bëhet më e lehë dhe të marrë një tjetër dimension.