E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, rrëzohet propozimi i Fajon për Shqipërinë e Bosnjën

Komiteti për Çështjet e Lirisë në Parlamentin Europian ka shprehur kritika ndaj raportit të parlamentares Tania Fajon, e cila kërkon heqjen automatike të regjimit të vizave edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën, sapo këto dy vende të plotësonin kriteret. Sipas Komisionit Europian, Shqipëria ka një sërë pikash të paplotësuara nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. "Vlerësimi tregoi se kishte ende shumë pika kyçe që këto dy vende duhet të zbatonin. Nuk është fjala vetëm për pasaportat biometrike, më lejoni t'ju tregoj se në të katër blloqet e udhërrëfyesit është një listë e tërë me kriteret që mbetën për t'u përmbushur. Pasaportat biometrike është veç kriteri më i dukshëm", tha Dafne Gogou, përfaqesuese e KE për çështjet e brendshme dhe drejtësinë. Por Fajon i ka kundërshtuar kritikat e Komisionit dhe presidencës suedeze. Në një intervistë për BBC eurodeputetja sllovene e pyetur se nëse Komisioni Evropian e pranon propozimin e saj kur do të jetë koha që ky regjim pa viza do të zbatohet edhe për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën tha:"Kjo varet sigurisht edhe nga qeveritë e të dy vendeve. Së pari, ato duhet të plotësojnë kërkesat. Ne nuk po u japim këtyre vendeve, një biletë gratis, nëse do të shprehesha kështu. Kjo thjeshtw do të thotë se në kohën kur ato do të plotësojnë kushtet bazë dhe Komisioni do të japë vlerësimin pozitiv, ato do të përfshihen menjëherë në Rregullin e Komisionit, që do të thotë se ne nuk do të kalojmë përsëri nëpër të gjithë procesin legjislativ, edhe në Parlamentin Europian. Veçanërisht nëse bie vitin tjetër, kjo procedurë mund të jetë shumë më e gjatë sepse do të përfshihet në një vendim-marrje së bashku me Këshillin. Pra në fakt, për ta thënë shkurt dhe qartë, nëse të dy vendet i plotësojnë kërkesat shpejt, atëhere e gjithë procedura mund të jetë e tillë që ato madje mund të arrijnë edhe tre vendet e tjera."

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›