Greva e studentëve, ministria ultimatum universitetit të Vlorës
TIRANË - Ministria e Arsimit i ka kërkuar sot Universitetit të Vlorës të zbatojë ligjin dhe të lëshojë urgjent diplomat për studentët e Juridikut. Shefja e kabinetit, Edlira Late, u shpreh se "Ministria e Arsimit i ka dërguar sot një shkresë zyrtare Rektorit të Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës në lidhje me formën e diplomave të studimeve 4-vjeçare".
Sipas saj, studimet 4-vjeçare të përfunduara në vitin akademik 2008-2009 janë programe të papërshtatura me standardet e Bolonjës dhe diplomat e tyre njihen si diploma të sistemit të vjetër, pra si diploma universitare 4-vjeçare.
Në bazë të nenit 89, të ligjit të Ligjit te Arsimit te Larte, këto diploma janë ekuivalente me "Diplomat të Integruara të Nivelit të Dytë".
"Universitetit "Ismail Qemali" i Vlorës duhet të pajisë sa më shpejt studentët me diploma në përputhje me përcaktimet e mësipërme të ligjit të Arsimit të Lartë", deklaron shefja e kabinetit të MASH-it.
ora: 11:30
Greva e studentëve në Vlorë, dy prej tyre përfundojnë në spital
VLORË - Në ditën e katërt të grevës së urisë, shëndeti i studentëve të Juridikut të Vlorës është përkeqësuar. DY prej studentëve grevistë janë transportuar sot paradite në urgjencën e spitalin, pasi shfaqën probleme me tensionin dhe anomali të tjera për shkak të mosushqyerjes.
Të 11 studentët e degës së Juridikut prej 4 ditësh qëndrojnë në ambientet e fakultetit dhe po protestojnë ndaj vendimit të rektoratit që vendosi që studentët nën notën 6 të mos pajisen me diploma me titullin "Jurist", por me një diplomë të thjeshtë me titull 'Njohës Ligjesh'.
Studentët thonë se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Arsimit për rastin e tyre. Ata shprehen se greva do të vazhdojë pa afat.