E Diel, 1 Nëntor 2026

Lindin 10.500 biznese në gjashtë muaj të 2010-s

Treguesit/ QKR ka regjistruar një numër të madh biznesesh të reja në 6-mujorin e parë, duke u rritur me 48 në krahasim me 2009-n

Me gjithë krizën ekonomike dhe efektet e saj të lehta në ekonominë shqiptare, zhvillimi i aktiviteteve të reja të biznesit ka shënuar një rritje pozitive gjatë vitit 2010. Numri i bizneseve të reja të regjistruara në gjashtëmujorin e parë të këtij viti u rrit me 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2009-s, duke regjistruar 10.500 të tilla. Këto të dhëna u bënë publike dje nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tom Kola, i cili publikoi dje shifrat si një tregues i ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare. Në raportin e gjashtëmujorit të vitit 2010, një tregues tjetër pozitiv është rënia e numrit të bizneseve të çregjistruara, që për gjashtë muajt e parë të këtij viti ranë me 18% krahasuar me një vit më parë. Duke krahasuar numrin e bizneseve të reja që kanë lindur gjatë gjashtë muajve të parë me numrin e bizneseve që janë detyruar të mbyllin aktivitetet e tyre duke bërë çregjistrimin, ka një diferencë shumë të madhe. Bizneset e reja të hapura në qytetet me aktivitetin më të madh ekonomik janë rritur edhe si rezultat i rritjes së kapitalit të personave fizike apo shoqërive si edhe nga lehtësitë që janë krijuar për të hapur tashmë një biznes në vendin tonë. "Në vlerë absolute, deri në fund të muajit qershor në QKR u regjistruan rreth 10.500 biznese të reja, ndërsa u çregjistruan rreth 2.900 të tilla. Dinamika e bizneseve të reja rezulton me rritje kryesisht në rrethet Tiranë, Durrës, Fier dhe Lushnjë", - tha Kola. Nga statistikat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit rezulton se në Shqipëri ushtrojnë aktivitet rreth 133 mijë biznese aktive, nga të cilat 87% janë persona fizikë. Sipas një vlerësimi të QKR-së, rreth 4% e shqiptarëve zotërojnë një biznes. Qendra Kombëtare e Regjistrimit të biznesit (QKR) që u hap në shtator 2007, ofron sportelet One-stop-shop për regjistrimin e biznesit, një shërbim në sportel të vetëm për të gjitha llojet e biznesit në gjithë vendin, ku numërohen 80 të tilla. Në këto sportele kryen aplikimet për të gjitha proceset e regjistrimit të biznesit, regjistrimin e taksave në nivel kombëtar dhe vendor (bashkiak), sigurimin shëndetësor dhe shoqëror, Inspektoratin e Punës dhe Institutin Kombëtar të Statistikave. Procedurat elektronike që zbatohen në QKR kanë bërë që Regjistri Tregtar shqiptar dhe regjistrimi i biznesit të përputhen plotësisht me të gjitha direktivat e Bashkimit Evropian. Ato janë plotësisht të aksesueshëm për përdoruesit e bizneseve si shqiptarë dhe të huaj. Hapja e QKR-së sipas modelit "One-stop-shop" u mbështet nga programi i Sfidës së Mijëvjeçarit të financuar nga SHBA-të dhe e zbatuar nga qeveria shqiptare dhe USAID-i.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›