E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Dëmi ekonomik në tatim-taksa në vitin 2008 arriti në 1.88 miliardë lekë



Administrata tatimore është treguar e paaftë për të mbledhur taksat nga subjektet e biznesit gjatë vitit 2008. Me humbje kanë qenë edhe degët e taksave vendore, situatë kjo që konfirmohet edhe nga raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit një shifër mjaft e lartë të ardhurash është regjistruar si dëm në buxhetin e shtetit. Nga një total prej rreth 4 miliardë lekësh si dëm efektiv, pothuajse gjysma, ose 1 miliard e 887. 6 milionë lekësh, është zbuluar nga kontrollet në vitin 2008 në 7 degët e tatimeve dhe në tri degë të taksave dhe të tatimeve vendore. Sipas raportit të KLSH-së, në degët e tatimeve kryesisht dëmet janë në formën e detyrime tatimore dhe penaliteteve për tatimfitim, TVSH, divident dhe tatim në burim, si dhe mosaplikim të gjobave për mosdorëzim në afat të bilancit financiar. Ndërsa në degët e pushtetit vendor, dëmet e vëna re janë kryesisht për moszbatim të procedurave ligjore në llogaritjen dhe arkëtimin e detyrimeve për taksat dhe tarifat vendore, për subjekte të kategorive të ndryshme të aktivitetit. Sipas raportit të KLSH-së, “ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2006-2007, si dhe 9-mujorit të vitit 2008, përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar në programet e kontrollit”. Por kjo është një situatë tepër shqetësuese parë nga këndvështrimi i monitoruesve. Fondi Monetar Ndërkombëtar sheh si mjaft të rrezikshme uljen e kreditimit të ekonomisë, si dhe mbledhjen e taksave nga qeveria. “Ulja e aktivitetit ekonomik mund të sjellë pakësim të mëtejshëm të grumbullimit të taksave. Këto aspekte po i shohim dhe i kemi identifikuar si rreziqe”, - është shprehur pak ditë më parë përfaqësuesi i FMN-së, Gerëin Bell. Sipas statistikave, krahasuar me 2007 të ardhurat nga TVSH-ja u rritën me rreth 19.3 miliardë lekë. TVSH-ja e mbledhur nga mallrat e importuara llogaritet 74,9 miliardë ose 593 milionë lekë më shumë se planifikimi, ndërsa TVSH-ja mbi mallrat dhe shërbimet brenda vendit llogaritet 32,16 miliardë lekë nga 32,5 miliardë lekë të planifikuara, me një mosrealizim rreth 403 milionë lekë.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›