Kasat fiskale do të instalohen me aksion, bizneset në Tiranë tre muaj afat
Ervin Koçi
Kasat fiskale do të instalohen nga qeveria te subjektet e biznesit me “aksion të përqendruar” deri në fund të këtij viti. Ministria e Financave i ka dhënë drejtim procesit të vendosjes së pajisjeve elektronike fiskale, pas disa vendimeve për shtyrje të afatit. Burime pranë kësaj ministrie konfirmojnë faktin se është lidhur kontrata me pesë kompanitë fituese të tenderit që u zhvillua në fillim të vitit 2008. Nisur nga kjo, të gjitha bizneset që operojnë në rrethin e Tiranës duhet të pajisen me kasat fiskale brenda muajit maj 2009, në të kundërt do të përballen me penalitetet e parashikuara në ligjin "Për procedurat tatimore". Urdhri është lëshuar së fundmi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe u referohet në mënyrë të veçantë bizneseve të mesme dhe të mëdha. Për subjektet private që operojnë në rrethe të tjera, afati i fundit është muaji dhjetor 2009. Lidhur me biznesin e vogël, i gjithë procesi i vendosjes së kasave regjistruese duhet të përfundojë brenda vitit që vjen, 2010.
Procesi
Pas shpalljes së fituesve, ministria nxori disa udhëzime mbi formën e vendosjes dhe funksionimit të pajisjeve fiskale, të cilat duhet të jenë të lidhura on-line me sistemin tatimor. Urdhri i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është publikuar së fundmi në faqen zyrtare të internetit, duke i bërë thirrje biznesit të mesëm dhe të madh që të vendosin pajisjet brenda periudhës maj 2009. Sipas tatimeve, koha është e mjaftueshme, pasi për këtë proces biznesit i është lënë afat 6 muaj. Vendimi prek ato biznese që shesin mallra, prodhime apo kryejnë furnizime të shërbimeve në lokale apo njësi të hapura për publikun, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, të cilat janë të detyruara të përdorin pajisje fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe të lëshojnë në mënyrë të detyrueshme kuponin tatimor. "Ky afat prek ato subjekte të regjistruara për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe Drejtoria Rajonale Tatimore, Tiranë, kurse brenda periudhës janar - dhjetor 2009 duhet të pajisjen me kasë fiskale personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore", - njofton Drejtoria e Tatimeve.
Pajisja
Kapaciteti (memoria) i pajisjes fiskale duhet të sigurojë ruajtjen e regjistrimeve të së paku 1800 raportesh ditore, fiskale, maksimumi i 20 ndryshimeve të shkallëve tatimore dhe të 200 ndërhyrjeve për zhbllokime të softëareve. Përpara se të fillojë hedhja e të dhënave të qarkullimit, nëpërmjet pajisjes fiskale në memorien fiskale, paraprakisht, duhet të futen numri i identifikimit të tatimpaguesit, numri i identifikimit të regjistruesit elektronik (dy shifra për identifikimin e kompanisë shitëse të arkës dhe 4 numra dhjetorë, të tjerë) si dhe data, ora dhe minuta e fillimit të mbajtjes së regjistrimit të xhiros nëpërmjet regjistruesit elektronik.
19 Shkurt 2009