Tiranë, ndërtimet pa leje nuk do të prishen, kriteret për legalizim
Viti - Brenda një viti, nga gushti i 2011-s deri në gusht të 2012-s, Bashkia e Tiranës ka evidentuar rreth 300 ndërtime pa leje
Vendimi - Sipas Bashkisë së Tiranës, këto subjekte aktualisht nuk janë prishur, por as nuk janë të ligjshme, pronarët duhet të nisin legalizimin
Denoncimi - Banorët e kryeqytetit, nëpërmjet denoncimeve dhe kallëzimeve në bashki dhe në inspektoratin ndërtimor, mund të pezullojnë ndërtimet pa leje
Aksioni - Policia bashkiake, një vit më parë, nisi aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje
Shtesat - Në rastin e 300 ndërtimeve pa leje, referohen papafingo, shtesa pallatesh, shtim dhomash
Shembjet - Nga të gjitha ndërtimet pa leje rezulton të jenë prishur vetëm 10 për qind e tyre
Ngrijnë 300 subjekte që ndërtuan pa autorizim
Lorina Mixha
Brenda një viti, pas konstituimit të kreut të ri të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, janë konstatuar mbi 300 ndërtime pa leje. Bëhet fjalë për shtesat e pallateve, shtesat e kateve, papafingot, por edhe ndërtime të tjera në formë zgjerimesh, të cilat nuk janë ndërtuar me leje të posaçme, me miratimin e Bashkisë së Tiranës, me aprovimin e banorëve të lagjes, komshinjve, por edhe pa marrë konsensusin e komunitetit përreth.
Brenda një viti janë konstatuar rreth 300 ndërtime pa leje. Këto subjekte janë evidentuar pas denoncimeve të qytetarëve, kontrolleve të policisë bashkiake e Inspektoratit Ndërtimor, ndërkohë që shumë kallëzime janë bërë edhe në numrin telefonik të vendosur në dispozicion për komunitetin nga qeveria vendore, deklaroi zyrtarisht Bashkia e Tiranës.
Sipas raportit statistikor të ndërtimeve pa leje, rezulton se rreth 10 për qind të tyre janë shembur. Sipas përllogaritjeve, rezulton të jenë shembur më pak se 30 ndërtime pa leje, shumica e tyre në fillim të aksionit të një viti më parë, nën drejtimin e policisë bashkiake. Pjesa tjetër e ndërtimeve janë pezulluar, kanë ngrirë, as nuk janë legalizuar e as nuk janë shembur.
Por sektori i legalizimeve dhe urbanistikës ka vendosur që për subjektet që tanimë kanë bërë shpenzimin dhe kanë investuar në infrastrukturë të kenë një mundësi për ta legalizuar ndërtimin pa leje.
Kriteret
Të gjitha ndërtimet e ngrira mund të shkrijnë në rast se pronarët e këtyre shtesave apo ndërtesave plotësojnë dy kushte kryesore: e para që të kenë banesën të hipotekuar dhe e dyta që banesa ku jetojnë të jetë në pronësi të tyre.
Më pas, procedura kërkon që të gjitha këto subjekte të bëjnë gati një shkresë, nga ku të kërkojnë legalizim të ndërtimit që kanë bërë. Strukturat vendore do të bëjnë edhe verifikimin e kërkesës dhe nëse kërkuesi është në kushte të rregullta për ta bërë këtë kërkesë apo jo. Po ashtu, një rol të rëndësishëm në legalizimin e ndërtimit pa leje kanë edhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit, banorët përreth ndërtesës, komshinjtë dhe kryesisht anëtarët e komunitetit me të cilën ndahet tarraca, muri dhe shkallët. Nëse ata bien dakord dhe nuk kanë kundërshti për investimet e fqinjit të tyre, atëherë edhe për pushtetin vendor është një plus më shumë për të marrë një vendim pozitiv për legalizimin.
Sakaq, njësia vendore, minibashkia që përgjigjet për ndërtimin në fjalë, është e detyruar të bëjë verifikimet dhe të bashkëpunojnë me strukturat e bashkisë qendrore për ti dhënë të drejtë komunitetit apo për ti dhënë të drejtë dhe për të legalizuar ndërtimin që nga kontrollet dhe evidencat rezulton të jetë ndërtuar ilegalisht.
Prishja
Ndërtimet u prishën një vit më parë, nga inspektorët e policisë bashkiake dhe Inspektorati i Ndërtimit, pas një fushate denoncimesh. Bashkia e Tiranës, pas ankesave të qytetarëve të depozituar në Drejtorinë e Marrëdhënies me Publikun, vendosi në dispozicion një numër telefoni për të gjithë banorët për të denoncuar rastet e abuzimeve dhe subjektet që kanë ndërtuar pa të drejtë, duke shqetësuar komunitetin, pa lejen e banorëve dhe duke mos kërkuar autorizimin përkatës pranë strukturave vendore.
Sakaq, për shtesat e pallateve, papafingot, por edhe zgjerimin e shtëpisë me një apo disa dhoma, sipas legjislacionit në fuqi, kërkohet marrja e autorizimit dhe pajisa me lejen e posaçme nga njësia bashkiake, Bashkia e Tiranës dhe Inspektorati Ndërtimor.
Shkresa
Të shemben lokalet brenda universiteteve
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i ka dërguar një shkresë Fakultetit të Mjekësisë, të Infermierisë dhe të Ekonomikut për mbylljen e lokaleve që janë të hapura brenda këtyre ambienteve. Kreu i UT-së sqaron se kjo kërkesë e rektoratit ka ardhur pas ankesës së studenteve, por edhe mungesës së ambienteve në këto fakultete për laboratorë. Në Fakultetin e Mjekësisë ka tri lokale, të cilat zënë një sipërfaqe të madhe, në një kohë që në këtë fakultet ka mungesa të mëdha për mjedise, ku të zhvillohet procesi mësimor. Në fillim të shtatorit pritet të shikohet sesa është zbatuar ky urdhër i Rektoratit të Tiranës, i cili është nxjerrë që prej muajt maj.
Sipas rektorit, është e mjaftueshme që në shumë fakultete ku ka mungesa të mëdha në hapësira dhe dyndje me studentë të pushtohen mjedise nga tavolina, karrige ku shërbehen edhe pije alkoolike. Mungesa e ambienteve në Universitetin e Tiranës ka bërë që mësimi të zhvillohet pa ndërprerje. Zgjidhja përfundimtare e çështjes së ambienteve jepet vetëm me ndërtimin e kampusit universitar, për të cilin qeveria ka dhënë rreth 20 milionë lekë, për fillimin e zbatimit të projektit.
Tiranë, ndërtimet pa leje nuk do të prishen, kriteret për legalizim burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip