E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH ka kërkuar mbylljen e MEICO

Ndërmarrja shtetërore që nga viti 2006 shiste skrap çeliku pa ankand. Janë vjedhur 2 milionë dollarë. KLSH ka paralajmeruar me kohe por askush nuk e ka degjuar

Pas paralajmërimeve të një sërë institucionesh për tragjedinë e Gërdecit, ja ku vjen edhe ai nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Institucioni më i lartë i kontrollit në vend, në një raport të vitit 2006, i ka rekomanduar qeverisë të shfuqizojë vendimin për funksionimin e ndërmarrjes së import-eksportit të armëve, “Meico”. Kjo, pasi funksionimi i kësaj kompanie nuk ka qenë në përputhje me ligjet vendase. Pavarësisht këtij paralajmërimi, kompania shtetërore vazhdonte të funksiononte. Mesa, duket arsyeja ka qenë mjaft e thjeshtë. Kompania shiste skrapin e çelikut nga shkrirja e gëzhojave të municioneve pa ankand. Këto abuzime janë paraqitur nga vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kontrollet e vitit 2006 në ndërmarrjen shtetërore “Meico”, nxjerrin në dritë se skrapi i çelikut shitej pa asnjë ankand, duke mos ditur se sa ishin të ardhurat dhe se ku shkonin ato. Zbulimet e vitit 2006 kanë nxjerrë se nga ndërmarrja shtetërore “Meico”, nga shitja e skrapit të çelikut pa tender është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën e 128 117 mijë lekëve të reja, apo në rreth 2 milionë dollarë. Pra, kompania shtetërore për skrapin që shiste nuk deklaronte asnjë faturë së të ardhurave. “Nga kontrolli i ushtruar në njësitë vartëse të institucionit, ndërmarrjen “Meico”, nga shitja e skrapit të çelikut pa ankand dëmi ekonomik i shkaktuar rezultoi në shumën e 128 117 mijë lekëve”, thuhet shprehimisht në raportin e KLSH-së të vitit 2006. Po ndër të tjera, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kundërshtuar ashpër shpërndarjen e të ardhurave që fitoheshin nga çmontimi i armatimeve. Nga kontrollet e ushtruara të atij viti, rezultonte se 90 për qind e të ardhurave i kalonin automatikisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe vetëm 10 për qind e tyre shkonin në arkën e buxhetit të shtetit. Pra, KLSH-ja në raportin e saj ka paralajmëruar hapur, se aktiviteti që kryente ndërmarrja shtetërore e shitjes dhe e blerjeve të armëve nuk ka qenë ligjore. “Ministrisë së Mbrojtjes i është rekomanduar shfuqizimi i vendimit të ministrit të Mbrojtjes nr. 5, datë 08.01.2002 “Për funksionimin e ndërmarrjes së eksport-importit të ushtrisë “Meico”, pasi përcaktimi i kësaj ndërmarrjeje si “komisionere”, bie në kundërshtim me nenet 5 e 6 të ligjit nr. 7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore dhe vendimit për krijimin e kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në raportin institucionit më të lartë të kontrollit. Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Ministrisë së Mbrojtjes ndryshimin e pikës 4 të VKM nr. 617, datë 04.12.2002, “Për heqjen nga armatimi dhe përdorimi të një pjese të armëve, të teknikës dhe të pajisjeve të forcave të armatosura dhe për asgjësimin ose çmontimin dhe shitjen e tyre”, pasi raporti i shpërndarjes së të ardhurave 90  për qind, për nevojat e ministrisë dhe 10 për qind, për t’u derdhur në buxhet, bie në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” me ndryshimet përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›