E Diel, 1 Nëntor 2026

Në emër të sigurisë (dhe zisë) kombëtare

Ilir Gjoni

Ish-ministri i mbrojtjes shtron disa pikepamje te tijat personale rreth asaj qe po ndodh me sigurine kombetare pas ngjarjes se Gerdecit

Ngjarja tragjike si pasojë e veprimeve kriminale të qeverisë shqiptare, ka nxjerrë zbuluar në tërë lakuriqësinë e saj qeverinë, duke filluar që nga problemi i korrupsionit që ka ngërthyer çdo cep të shtetit, e deri tek mosrespektimi i ligjit dhe mosfunksionimin e aparatit shtetëror, siç është rasti i Ministrisë së Punës, asaj të Mjedisit, për të vazhduar me atë të Mbrojtjes, të Brendshme e kështu me radhë. Por kjo nxori edhe një herë në pah një nga çështjet më delikate të shtetit shqiptar, pikërisht atë të sigurisë kombëtare. Duke lënë mënjanë përpjekjet banale dhe kriminale për të minimizuar shkaqet e tragjedisë, duke e konsideruar atë si thjesht një pasojë e gabimit njerëzor, dalin në evidencë tërë boshllëqet e sistemit të sigurisë tonë kombëtar. Gjithsesi, analiza e tërësisë së këtyre problemeve nuk është objekt i këtij shkrimi. Do të përqendrohem në abuzimin e qëllimshëm që është bërë e bëhet me termin “siguri kombëtare”. Sa për të marrë një shembull, për të krijuar idenë sesi kuptohet siguria kombëtare, po i referohem ligjit 8457, datë 11.2.1999, për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror, ku definicioni i “sigurisë kombëtare” është si vijon: “Sigurim kombëtar” do të thotë mbrojtja e pavarësisë, integritetit territorial, rendit kushtetues dhe marrëdhënieve me jashtë të Republikës së Shqipërisë”. Që këtu vihet re se sa i përgjithshëm është nocioni i sigurisë kombëtare dhe sa shteg lë ai për manovrime dashakeqe. Nisur nga ngjarja e 15 marsit, po përqendrohem në disa elemente që lidhen me abuzimet që janë bërë e bëhen nisur nga interpretimi i gjerë i nocionit “siguri kombëtare” .Shembull tipik është vendimi i Këshillit të Ministrave, nr. 521, datë 8. 8. 2007, “Për procedurat e blerjes nga Ministria e Mbrojtjes të disa mallrave të përjashtuar nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik”.  Ky VKM i lë në kompetencë MM-së të përcaktojë… “marrëveshjet dhe kontratat në fushën e blerjeve, që përmbajnë informacion, ekspozimi i të cilit është në kundërshtim me interesat e sigurisë kombëtare”. Të kuptohemi, shteti ka nevojë të mbrojë sekretet e vërteta, të sigurojë që ato nuk do të cenojnë sigurinë kombëtare, por kur ky term përdoret vetëm për të justifikuar tenderët dhe për rrjedhojë, grykësinë e tregtarëve të vdekjes, atëherë kjo nuk ka emër tjetër, veçse veprimtari kriminale. Sigurisht që nocioni i sigurisë kombëtare mbart në vetvete një petk sekreti, që kur abuzohet, fashit çdo përpjekje për transparencë dhe ndihmon për të fshehur gjurmët e krimit. Për mua është e qartë që “siguria kombëtare” qëllimisht konsiderohet si një koncept ambulator, një ide e përgjithshme, e cila mund të interpretohet sipas interesit dhe rrethanave. Çështja e sigurisë kombëtare dhe velloja e sekretimit që mbart apo që ia kanë veshur me qëllim shtetarët e korruptuar, është shtrirë në të gjitha hallkat e shtetit. Shihni Kuvendin Shqiptar! Këto ditë, pas 15 shtatorit, media bëri të ditur se Komisioni i Sigurisë Kombëtare na paska bërë një investigim mbi situatën e depozitave të armatimit në vendin tonë dhe konkluzionet i ka diskutuar me “dyer të mbyllura”, për shkak të rëndësisë që kanë ato për “sigurinë kombëtare”. Kuvendarët supozohet të jenë mbështetësit e popullit që i ka zgjedhur; ata supozohet të mbajnë nën mbikëqyrje e kontroll pikërisht këta gangsterë të veshur me pushtet. Por publiku nuk di gjë. Akoma më keq, asnjë masë nuk është marrë pas këtij komisioni investigativ. E çfarë rëndësie ka të dhurosh gjak për viktimat (vetëm e vetëm për të bërë shou mediatik), pasi ti vetë i ke lyer duart me gjak, ashtu siç ishte rasti më i fundit?! Po Shërbimi Informativ Shtetëror për të cilin publiku dhe taksapaguesit shqiptarë nuk kanë as edhe një informacion? Jo vetëm publiku, por madje dhe Kuvendi nuk di asgjë sesi vepron e funksionon ky shërbim. Dhe e gjitha kjo është mbuluar me përdorimin abuziv të termit “Siguri kombëtare’. Akoma më keq është Këshilli i Sigurisë Kombëtare, një strukturë faktikisht e drejtuar nga Presidenti, njëkohësisht dhe komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, të cilin deri më sot nuk e dimë se çfarë veprimtarie në funksion të sigurisë kombëtare kryen. Akoma më lakuriq del abuzimi me konceptin e sigurisë kombëtare, kur ajo vishet edhe me Zinë Kombëtare, si një aditiv i përpjekjeve banale e mjerane për të mbuluar dhe kamufluar më e pakta korrupsionin; më e rënda, çorganizimin e qëllimtë të tërë sistemit tonë të sigurisë kombëtare. Deklarata e djeshme e kryeministrit kundër mediave, ishte në fakt shprehje e koncentruar e mentalitetit mbisundues të kësaj qeverie, për të mbytur informacionin gjoja “për të respektuar kodin më të lashtë në botë, që është ai i zisë”. Në këto 17 vite tranzicion, ne tashmë kemi kuptuar se nëse duam të kemi shtet në kuptimin e vërtetë të fjalës, duhet të jemi në gjendje të ndërtojmë një shtet legjitim dhe efikas. Kjo besoj është evidente dhe ajo çka kërkon çdo shqiptar. Ajo çka nuk është evidente mesa duket, është fakti që, po qe se legjitimiteti nuk ekziston krah për krah me efikasitetin, atëherë asnjëra prej tyre nuk mund të ekzistojë. Një nder elementet e domosdoshëm të efikasitetit dhe legjitimitetit të shtetit është dhe transparenca. Në demokracitë liberale informacioni konsiderohet si një mall publik, po aq jetik për shëndetin e shtetit dhe ekonominë e tij, sa dhe qarkullimi i gjakut nëpër trupin e njeriut, ndërsa në vendin tonë informacioni ende konsiderohet si mall strategjik i kamufluar gjithnjë nën termin e “sigurisë kombëtare”, gjithnjë duke u përdorur për asgjë tjetër, veçse për të mbuluar skandalet qeveritare. Transparenca, një nga parimet bazë të funksionimit të një shteti demokratik, nënkupton dijeninë mbi vendimet që merren, nga kush merren dhe përse merren. Pamundësia për të marrë përgjigje për këto pyetje çon në rastin më të mirë, në konfuzion, ndërsa në rastin më të keq në ilegjitimitet, kërcënim të sigurisë kombëtare dhe në konflikt. Thjesht për të rifreskuar kujtesën e popullit shqiptar, po përmend disa raste flagrante për abuzimin me termin “siguri kombëtare”, në funksion të mbulimit të skandaleve. Për shembull, Sali Berishës iu deshën 11 vjet për të pranuar me gojën e tij (i detyruar nga rrethanat, botimi i librit me kujtime të Bullatoviqit), kontrabandën e organizuar shtetërore të naftës me ish-Jugosllavinë (kujto “Shqiponjën” e PD-së). Gjatë një konference për shtyp, vjet Berisha deklaroi se, “nëse u riktheheni viteve ‘92-‘96, do të gjeni në mënyrë të përsëritur deklaratat e mia, ku unë nuk jam dakord me embargon e vendosur ndaj Kosovës dhe Malit të Zi. Këtë e kam shprehur publikisht dhe nuk e kam fshehur. Unë nuk isha dakord, sepse Serbia furnizohej anije pas anijeje nga Danubi dhe, ndërsa këto vende i linte në acar, në Beograd nuk mungonte asgjë. Kjo ishte e vërteta e qëndrimit tim. Këtë qëndrim unë e kam shprehur publikisht dhe për një qëndrim që e kam shprehur publikisht në atë kohë, unë kam qenë i sinqertë”. Siç e shihni pra, Berisha mundohet ta fshehë kontrabandën nën petkun e interesave kombëtare, ndonëse kjo embargo ishte iniciuar pikërisht nga SHBA-të dhe partnerët perëndimorë, të cilët më në fund zgjidhën edhe çështjen tonë kombëtare. Një rast tjetër i publikuar para disa vitesh në mediat shqiptare, flet për një skandal tjetër të tregtisë së armëve, të organizuar nga Berisha dhe qeveria e tij. Është fjala për një cikël artikujsh të botuar nga gazeta bullgare “Monitor”, ku ndër të tjera flitet për “Aferën shqiptare” të vitit 1993, që ka të bëjë me një parti mortajash dhe minash “të kontraktuara” nga  autoritetet e larta ushtarake shqiptare, por që ishin destinuar dhe përfunduan në Serbi në kohën e luftës në Bosnjë. Sipas artikullshkruesve, në këtë aferë ishin implikuar zyrtarë të lartë të shërbimit të zbulimit ushtarak të Millosheviçit, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Bullgarisë dhe  funksionarë të lartë të Shqipërisë, ish-ministri i Mbrojtjes dhe shefi i firmës “Meico”, kolonel Sali Kuqi. Në këtë skandal armët janë trafikuar nga Bullgaria, përmes firmës “Meico” drejt Maqedonisë e Serbisë. Do të ishte e tepërt të renditeshin të gjitha rastet, si ai i tregtisë së armëve me Afganistanin, Ruandën e vende të tjera apo artikullin e famshëm të Andrea Gumbel në “The Independent” “Regjimi gangster” (ku jepen fakte të shërbimeve inteligjente perëndimore për përfshirjen e zyrtarëve të Berishës në trafik armësh), për të provuar se rasti i Gërdecit nuk ishte thjesht një gabim njerëzor, por ajo qe një kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar, por që fatkeqësisht shqiptarët dhe sidomos politika shqiptare ia kanë toleruar Berishës dhe qeverive të tij. Zhan-Pol Sartri në dramën e tij “Duart e pista”, vë në gojën e liderit komunist, Hoerderer, fjalët si vijojnë: “I kam duart e pista deri në bërryla. I kam zhytur në pisllëk e gjak. Dhe ju mendoni se mund të qeveriset me ndershmëri?”  Herderin e kemi këtu mes nesh (ndonëse ky i yni nuk e pranon) dhe ai duhet të japë llogari. *Autori ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Rendit Publik

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›