E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrapshtësia e Berishës solli dramën

Valentina Leskaj

Debate te ashpra ne Kuvend. Opozita i kerkon kryeministrit te largohet, Berisha sfidon opoziten duke kerkuar t'i organizojne ndonjë mocion

Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, i kërkoi fort kryeministrit Sali Berisha të japë dorëheqjen, ashtu sikundër bëri ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. “Sot, e tërë Shqipëria: qytetarët e majtë, të djathtë e pa parti, kërkojnë nga ju të bëni atë që bëri ministri juaj i Mbrojtjes, i cili bashkë me ju dhe jashtë çdo logjike njerëzore e ligjore, lejoi hapjen e një fabrike të çmontimit të municioneve në zemër të aksit kryesor të vendit, Tiranë-Durrës, në një zonë të banuar dhe pranë aeroportit ndërkombëtar. Nuk mund të rrini ende ulur në atë karrige zoti kryeministër, pasi politika juaj e mbrapshtë ka shkaktuar një tragjedi të madhe, që u ka fikur jetën apo u ka marrë njerëzit më të dashur dhe gjithçka kishin kaq shumë bashkëqytetarët tanë”, - deklaroi numri një i PS-së në Kuvend. Ajo kërkoi që të t’i hiqet imuniteti kryeministrit e tashmë ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediut. “Ka ndër këta qytetarë që mendojnë se ju nuk e jepni dorëheqjen, sepse doni të fshihni diçka të tmerrshme lidhur me fabrikën e vdekjes. Këtë sot për sot e dini vetëm ju. Ju duhet të shkoni të rrëfeheni përpara organeve të drejtësisë e jo në foltoren e Këshillit të Ministrave. Krateri i Gërdecit nuk mund të mbyllet me dorëheqjen e vonuar të Fatmir Mediut pa dalë e gjithë e vërteta”, - theksoi Valentina Leskaj. Në krahun tjetër, kreu i ekzekutivit e përjashtoi mundësinë e dorëheqjes, pasi sipas tij, kërkesa e opozitës është e paargumentuar. Në krahun tjetër, me kokëfortësi ai sfidoi opozitën, madje në një moment edhe bëri presion ndaj aktorëve politikë të së majtës. “Ja ku jemi, mblidhni firmat, paraqisni mocion! Unë jam i gatshëm në çdo kohë. Prokuroria po heton për ngjarjen. Nuk besoni, caktoni ju komisionin! Jam dakord që mund të jetë korrupsion. Ky vend ka vuajtur nga korrupsioni. Faktojini të gjitha, do t’ju jem shumë mirënjohës! Kam frikë se duke rrëmuar, do të gjeni atë që nuk dëshironi”, - paralajmëroi, duke bërë presion, shefi i ekzekutivit. Ndërkaq, Valentina Leskaj e cilësoi kryeministrin Sali Berisha si një njeri i papërgjegjshëm, që është mbajtur dhe do të mbahet mend si shkaktar i tragjedive të mëdha. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së e cilësoi kreun e ekzekutivit fajtor që nuk kërkoi falje për viktimat e tragjedisë së Gërdecit. “Në këto 17 vjet, ju jeni personifikuar si president i një vendi që u dogj e u shkrumbua deri në dhimbje, si kryetar i një opozite që dogji institucionet dhe tani, së fundmi, si kryeministër i një qeverie, e cila me një vendim krejt të papërgjegjshëm, realizoi një bombardim të mirëfilltë mbi një zonë të banuar. Një goditje që ka shkaktuar humbje jetësh të pafajshme, zhdukje e plagosje fëmijësh, grash e burrash fatkeq, shpërngulje masive familjesh të copëtuara, shkatërrime shtëpish e pronash”, - deklaroi Leskaj, ndërsa shtoi se bilancit tragjik i shtohen edhe pasojat e ngjarjes së Gërdecit, që nuk mund t’i harrojë askush. Liderja e socialistëve në Kuvend nënvizoi se është cinike të mendosh për fitime përpara jetës së fëmijëve, grave e burrave që vënë në rrezik jetën për bukën e gojës. “Ju, zoti Kryeministër, jeni zotuar për të luftuar korrupsionin e informalitetin e për këtë keni kontrolluar byrektore e domateshitës që nxjerrin bukën e gojës dhe mirë keni bërë; ne jemi për shtetin ligjor. Po pse nuk e keni bërë këtë edhe për fabrikën e vdekjes, që nxirrte miliona nga djersa e njerëzve pa i siguruar ata?” - iu drejtua ajo shefit të ekzekutivit. Numri një i PS-së në Kuvend, shtoi se opozita e sotme, ndryshe nga ajo e djeshmja, i dha mbështetje qeverisë në orët e tmerrit. Por, në krahun tjetër, ajo shtoi se është e turpshme që kjo të përdoret për konferenca shtypi të turpshme, që sipas saj, treguan se kryeministri është një person që nuk di të marrë përgjegjësitë e veta, por vetëm të fajësojë të tjerët. Berisha pret mocionin Kreu i qeverisë gjatë debateve mbrëmë në Kuvend, ka deklaruar se është i gatshëm të hetohet nga socialistët. “Jam i gatshëm për t’u hetuar. Bëni një mocion nëse kërkoni largimin tim! Jeni të lirë të ngrini një komision kuvendar dhe faktoni akuzat ndaj meje. Kam frikë se do të gjeni atë që nuk doni”, - tha ai, ndërsa priste që në seancë të bëheshin vlerësime të mira të punës së tij. Sipas Berishës, është vetë ligji, i cili nuk e lejon kryeministrin e vendit që të përcaktojë vendndodhjen e njësive ushtarake. Gjatë raportimit të tij, kreu i qeverisë shqiptare ka mohuar çdo lidhje me ngjarjen e Gërdecit, duke hequr nga vetja çdo përgjegjësi. Berisha hodhi poshtë akuzat e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për përgjegjësi të kryeministrit në këtë ngjarje dhe kundërshtoi kërkesën e tij për dorëheqje nga posti i kryetarit të qeverisë. Gjatë argumentimeve, Berisha ka thënë se fjalën “Gërdec” e kishte dëgjuar për herë të parë vetëm në ditën kur po ndodhnin shpërthimet. Duke raportuar para kuvendarëve, ai ka shpjeguar se  për ngjarjen e ndodhur në fjalë po bëhen të gjithë hetimet e nevojshme, ndërsa i ka ftuar edhe deputetët socialistë që protestonin, që edhe ata të ngrinin një komision hetimor nëse arrinin të faktonin të kundërtën e asaj që deklaronte kreu i qeverisë shqiptare. Ndërsa Berisha raportonte për ngjarjen e ndodhur në Gërdec, kuvendarët socialistë kanë reaguar, duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme nga drejtimi i qeverisë. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka hedhur poshtë edhe akuzat e kreut të opozitës. “Kam deklaruar se nuk ka pasur gra dhe fëmijë. Kjo deklaratë është bërë në bazë të listës së punëtorëve që më është dhënë. Në të nuk kishte emrin asnjë fëmijë”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit. Për sa i përket deklaratës se Ministria e Mbrojtjes merrej vetëm me transportin e municioneve, kreu i qeverisë e ka përgënjeshtruar, duke thënë se ky ishte informacioni që i kishte ardhur në ato momente. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare ka shpjeguar sesi ka ndodhur ngjarja, ndërsa ka premtuar rindërtimin e shtëpive dhe dhënien e fondeve për viktimat. Ai premtoi gjithashtu, se do të bëjë nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive ligjore të gjithsecilit për ngjarjen, e cila, sipas tij, nuk erdhi nga shkaqe natyrore, por nga “shkaqe të mirëfillta njerëzore, gjë që e bën peshën e saj edhe më të rëndë”. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›