E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të merremi me Mediun

Fatmir Mediu

E vene perpara presionit te shtypit, Prokuroria nderroi qendrim dhe tha dje se e ka ftuar me miresjellje ish-ministrin Mediu te deshmoje per ngjarjen e rende te Gerdecit

TIRANË - Pas dilemës së dy ditëve më parë, kur organi i akuzes ende ngurronte te hidhte hapin vendimtar per hetimin e ministrit Mediu, prokuroria vendosi dje "të ftojë ish-ministrin e Mbrojtjes per te deshmuar". Reagimi zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme vjen një ditë, pasi burime zyrtare nga ky institucion i thanë “Korrierit”, se ende nuk është vendosur nëse do të thirret në prokurori ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu. Në një njoftim për shtyp të publikuar nga Zyra e Shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme, thuhet se “prokuroria do të ftojë për të dhënë deklarime dhe shpjegime të mëtejshme rreth ngjarjes edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu”. Ftesa zyrtare e prokurorisë pritet t’i bëhet edhe ish-ministrit, i cili nga ana e tij shprehu gatishmërinë për të ndihmuar hetimet. Ngelet ende e pa qartë nëse prokuroria do të bëjë kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, pasi siç shpjeguan burime të gazetës, gjithçka do të varet nga vijimësia e hetimit të çështjes, për të cilën ditë pas dite po ndërmerren disa veprime, duke zgjeruar edhe rrethin e hetimeve. Sipas burimeve zyrtare të prokurorisë, grupi hetimor i çështjes ka përqendruar punën në Ministrinë e Mbrojtjes, ku gjatë dy ditëve të fundit janë sekuestruar një sërë dokumentesh që mund t’i shërbejnë hetimit. Gjithashtu, janë marrë në pyetje zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, që sipas prokurorisë kanë dijeni për ngjarjen. Sipas burimeve nga grupi hetimor, në këtë pjesë të hetimit janë pyetur një sërë personash, të cilët janë angazhuar drejtpërdrejt në vendimmarrje, në kuadër të kompetencave që ju lejon ligji, si dhe në zbatimin e vendimeve të marra nga instancat më të larta, përfshi edhe ministrin. Por gjatë këtyre ditëve, prokuroria nuk ka lënë jashtë vëmendjes as veprimtarinë e tre të ndaluarve: Mihal Delijorgjit, administrator i firmës “Albademil”; Dritan Minxhollit, drejtor i fabrikës së Gërdecit dhe Ylli Pinarit, drejtor i kompanisë “Meico”. Prokuroria tha se “po verifikohen pasuritë e administratorit të firmës “Albademil”, Mihal Delijorgji, veprime të cilat do të pasohen nga grupi i hetimit edhe me marrjen e informacionit nga bankat dhe zyrat e regjistrimit të pasurive”. Ndërsa ditën e sotme, Gjykata e Tiranës do të vendosë masën e sigurisë për tre të ndaluarit, për të cilët prokuroria ka ngritur akuzën e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes, u tregua i gatshëm për çdo hetim “E konsideroj veten pa imunitet”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke treguar kështu gatishmërinë e tij për çdo hetim. Në fillim të raportit për ngjarjen, Mediu ka kërkuar falje për ngjarjen e ndodhur dhe u ka shprehur ngushëllim familjeve. “E vërteta për këtë ngjarje nuk mund të fshihet as të deformohet. Nuk mund të jem as unë e as ndonjë tjetër që do të ketë verdiktin e së vërtetës, por vetëm drejtësia do të jetë ajo që do të vendosë. Kam deklaruar se jo vetëm do të mbështes hetimin, por që në këtë moment do ta konsideroj veten pa asnjë lloj imuniteti. Nga dëshira e plotë për të hetuar këtë ngjarje, si pasojë e përgjegjësive të mia si funksionar publik”, tha Mediu. Gjatë fjalës së tij, ai shpjegoi se tejmbushja e depove ka ardhur si pasojë e zvogëlimit të numrit të depove. Sipas Mediut, në vend janë 883 depo, të cilat janë të mbushura me municion që duhet çaktivizuar. Ai theksoi se lëvizjet demografike të shumta dhe ndërtimi i banesave pranë zonave të depove të municionit ka sjellë edhe rrezikimin e këtyre banorëve, si pasojë e vjetërsisë dhe pasigurisë që paraqesin këto municione. Ai ka deklaruar, gjithashtu se përzgjedhja e vendit është bërë nga specialistët, ndërsa ka theksuar se nuk i është dhënë asnjë raport rrezikshmërie. “Si ministër i Mbrojtjes, unë nuk kam marrë as shqetësimin më të vogël për çështje të sigurisë, trajnimit të personelit dhe as për fakte skandaloze për praninë e fëmijëve. I gjithë dokumentacioni vetëm një marrëdhënie me kontraktorin amerikan”, ka deklaruar Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›