E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH marrëveshje me Zyrën e Auditorit të Kosovës

Kjo marrëveshje konsiston në respektimin e reciprocitetit dhe bashkëpunimit të përbashkët dhe dobiprurës, si dhe në principet e implementuara nga Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve të Larta të Kontrollit (INTOSAI) dhe Organizata Evropiane e Institucioneve të Larta të Kontrollit (EUROSAI).Në këtë marrëveshje palët shprehin vullnetin e tyre të përbashkët për të bashkëpunuar në zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare të sektorit të auditimit publik dhe praktikave më të mira Evropiane, shkëmbimin e eksperiencave në zhvillimin e institucioneve respektive, si dhe prezantimin e Fjalorit të Auditimit Publik Shqiptar të standardizuar.

Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj theksoi se sot çelet një faqe e re për të dy institucionet në konkretizimin dhe konsolidimin e  raporteve të bashkëpunimit institucional. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në tre vitet e fundit që drejtohet nga z. Lars Lage Olofsson ka dyfishuar buxhetin e saj, ka katërfishuar numrin e auditiveve dhe ka shtuar personelin me 50 punonjës të rinj. KLSH ka shumë për të përfituar nga mënyra e organizimit të strukturës homologe kosovare, dhe nisur nga ky fakt KLSH parashikon që në mars të dërgojë disa dhjetëra punonjës të saj në Kosovë, në një vizitë shkëmbimi eksperiencash dhe trajnimesh.

“Siç jam shprehur dhe në Komisionin e Ekonomisë dy muaj më parë, një nga prioritetet e mia ishte vendosja e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet institucionit të KLSH-së dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës dhe sot jam shumë i lumtur që po nënshkruajmë marrëveshjen e parë të bashkëpunimit, si dhe po realizojmë një nga objektivat tanë të rëndësishëm në fushat e auditimit për të dyja palët”, tha Leskaj. /Start/

                                                                                             2012-02-14 17:11
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›