KLSH padit 36 zyrtarë, vodhën 1 mijë ha tokë
Kontrolli i Larte i Shtetit con per ndjekje penale 36 zyrtarë të pushtetit vendor për abuzime me dhënien e tokave dhe trojeve në të gjithë vendin. Mbi 1000 ha tokë janë dhënë abuzivisht, kurse dëmet llogariten në disa milionë lekë.
TIRANE- Janë plot 1 mijë e 75 hektarë toka të shpërndara në mënyrë të parregullt e abuzive nga organe shtetërore, që janë konstatuar nga ekipet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në disa rajone të vendit. KLSH-ja njofton se këto shkelje janë konstatuar në Komunën Voskopojë e atë Buçimas të Qarkut të Korçës, në Bashkinë e Lezhës dhe zonën rurale të këtij Qarku, ndërkohë që rreth 22 milionë lekë të reja llogaritet shkelja e kryer në projektin për ujitjen e fushës së Korçës dhe në veprimtarinë ekonomike të Drejtorisë zonale të OSSH-së në Shkodër.
Në Voskopojë vihet re se janë lëshuar në 128 raste të ndryshme akte të marrjes së tokës në pronësi, në shkelje të ligjeve në fuqi. Duke filluar nga dhënie prone familjeve që nuk kanë qenë banorë të ish-kooperativave bujqësore; dhënie objektesh që nuk kanë qenë tokë bujqësore; dhënie më shumë tokë se sa takonte me ligj, etj.
Për shpërdorim detyre, KLSH-ja ka depozituar kallëzim penal për dy ish-kryetarë të komisionit të ndarjes së tokës në këtë komunë. Shumë më të rënda kanë qenë shkeljet në Buçimas, ku rastet e shkeljeve të konstatuara kanë qenë 2.481 dhe në një sasi sipërfaqesh shumë të mëdha. Kallëzim penal është depozituar për 11 ish-kryetarë të komisioneve të tokave, 5 ish-përfaqësues të Këshillit të Rrethit dhe 5 anëtarë të komisioneve.
Në qytetin e Lezhës janë lejuar regjistrime objektesh (pallate, lokale, qendra biznesi) në pronë publike pa kontratë qiraje apo shitjeje, pa akte noteriale e pa bërë lidhjet midis truallit e objekteve. Ndërkohë, në zonat rurale të këtij Qarku janë hipotekuar me shkelje ara, të cilësuara si "kënetë", objekte të ndërtuara jashtë sipërfaqes së sheshit të ndërtimit, etj. Është proceduar penalisht për ish-kryetarin e Bashkisë Lezhë, ish-regjistruesin, ish-drejtorin e urbanistikës, etj, si dhe janë rekomanduar 23 masa organizative e 5 disiplinore.
Skandal i madh financiar është zbuluar nga KLSH-ja me dështimin e projektit të ujitjes së Fushës së Korçës, investim i Ministrisë së Bujqësisë, ku janë keqpërdorur 20,7 milionë lekë të reja. Kontrolli i Shtetit ka çuar në prokurori tre punonjës të projektit. Ndërkohë, në OSSH Shkodër është konstatuar dëm ekonomik në masën 1,1 milionë lekë të reja, janë dhënë 19 masa organizative, 4 masa shpërblim dëmi dhe janë bërë kallëzim penal për 5 punonjës.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)