E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH paraqet raportin e auditimit të sigurisë së barnave


TIRANË, 21 prill /ATSH/ Drejtoresha e Drejtorisë së Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, Arminda Bushi prezantoi sot gjetjet e auditimit të zhvilluar gjatë vitit 2024 në nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik.

Bushi tha se ky auditim trajton një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve si sigurinë dhe efektivitetin e barnave që qarkullojnë në tregun farmaceutik shqiptar.

“Barnat nuk janë produkte të zakonshme tregu. Ato përdoren për trajtimin e sëmundjeve dhe çdo mangësi në cilësi apo efektivitet ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve. Disponueshmëria e ilaçeve të sigurta dhe të përballueshme konsiderohet një tregues kyç i cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend”, tha Bushi.

Bushi shtoi se “në Shqipëri qarkullojnë si barna të importuara, ashtu edhe produkte të prodhuara nga kompani vendase. Cilësia e tyre duhet të garantohet përmes analizave laboratorike të detyrueshme dhe monitorimit të vazhdueshëm të efekteve të padëshiruara”.

Sipas auditimit, përgjegjësia për garantimin e sigurisë së barnave bie mbi shtetin, nëpërmjet politikave, kuadrit ligjor dhe institucioneve përkatëse, si Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

“Një pikë e rëndësishme e raportit lidhet me ndryshimet ligjore të vitit 2014, të cilat synuan uljen e kostove spitalore dhe rritjen e aksesit të pacientëve. Këto ndryshime lejuan futjen në treg të barnave që nuk prodhohen sipas standardeve të Bashkimit Europian, duke çuar në largimin e disa kompanive dhe rritjen e përdorimit të barnave gjenerike. Aktualisht, barnat gjenerike përbëjnë rreth 80% të regjistrit të autorizimit të tregtimit në Shqipëri”, tha Bushi.

“Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, gjatë viteve 2020–2023 Shqipëria ka importuar barna nga vende si Gjermania, Italia, Franca, Sllovenia, Zvicra, Belgjika, Greqia dhe Spanja. Në vitin 2023 u regjistrua një rritje e ndjeshme e importeve, me 837 tonë barna, ndërkohë që kostoja për ton rezultoi më e ulët krahasuar me vitin paraardhës. Kulmi i importeve u arrit gjatë pandemisë në vitin 2021, ku Italia ishte eksportuesi kryesor me rreth 12% të tregut”, vijoi ajo.

Sipas saj, auditimi kishte si objektiv kryesor vlerësimin e efektivitetit të politikave dhe rolit të institucioneve përgjegjëse në garantimin e barnave të sigurta. Gjetjet nxjerrin në pah disa problematika ndër të cilat Bushi nënvizoi se sistemi ka humbur dy filtra të rëndësishëm sigurie si kufizimin e origjinës së barnave dhe kontrollin laboratorik para qarkullimit.

Përfaqësuesja e KLSH-së tha se shteti nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për të verifikuar në mënyrë të pavarur cilësinë dhe sigurinë e barnave që hyjnë në vend, veçanërisht për ato të paregjistruara.

“Një tjetër problem është mungesa e sistemit “track and trace”, i cili mundëson gjurmimin e barnave përmes barkodit nga momenti i importit deri te përdorimi final. Një sistem i tillë do të rriste transparencën dhe kontrollin mbi zinxhirin e shpërndarjes”, cilësoi ajo.

Bushi pohoi se auditimi evidenton gjithashtu mungesë të theksuar inspektimesh.

“Gjatë viteve 2020–2023 nuk është kryer asnjë inspektim për laboratorët dhe prodhuesit vendas. Në vitin 2022 nuk pati asnjë inspektim në farmacitë spitalore, ndërsa në vitin 2023 inspektimet në depot farmaceutike ranë ndjeshëm nga 127 në vetëm 3”, tha Bushi.

Një tjetër mangësi lidhet me mungesën e rregullimit të qartë për barna alternative në listën e rimbursimit, të cilat nuk janë të regjistruara në vend.

“Në një treg ku barnat importohen nga shumë vende, bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor. Institucione si EMA, FDA dhe OBSH publikojnë vazhdimisht informacione mbi sigurinë dhe efektet anësore të barnave. Megjithatë, sipas auditimit, Agjencia Kombëtare e Barnave nuk ka bashkëpunuar në mënyrë efektive me këto institucione homologe”, tha Bushi.

Në përfundim, raporti thekson nevojën për forcimin e mekanizmave të kontrollit, rritjen e inspektimeve, përmirësimin e kuadrit rregullator dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, në mënyrë që të garantohet siguria dhe cilësia e barnave për qytetarët shqiptarë.

KLSH raporton auditin e cilësisë së barnave, foto: Andrin Hoxha 1 nga 6

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›