E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqetësimi në rrjetet sociale, Policia: Gratë me shtetësi iraniane asnjë veprim të kundërligjshëm ndaj të miturve

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Policia e Shtetit në një reagim publik bën me dije se duke marrë shkas nga një  lajm i publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit nisën menjëherë me iniciativë, verifikimet dhe hetimet përkatëse.

Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar.

Sipas Policisë së Shtetit, shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Nga verifikimet e deritanishme rezulton se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.

Policia njofton se “në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve”.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›