E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Nënkryetarin e “Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, Blerim Shala

29 qershor 2012
Prishtinë, Kosovë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe delegacionit zyrtar shqiptar zhvilloi sot pasdite një takim me Nënkryetarin e “Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, Blerim Shala dhe përfaqësues të tjerë të kësaj force politike, gjatë të cilit u bashkëbisedua për sfidat e të tashmes e të së ardhmes së Kosovës, për zhvillimin e gjithanshëm dhe nevojën për konsolidimin me maturi dhe largpamësi të shtetit më të ri të Ballkanit.

Në këtë drejtim, Presidenti Topi u shpreh i bindur se shteti shqiptar dhe institucionet e tij do të vazhdojnë të jenë në krah të Kosovës, duke kërkuar njohje të reja të pavarësisë së saj në të gjitha takimet e nivelit të lartë me partnerët ndërkombëtarë. Në këtë drejtim bashkëbiseduesit ndanë pikëpamjen se situata dhe gjendja e shqiptarëve në rajon nuk ka qenë kurrë më e mirë se sot dhe se sfida të tjera jo të lehta na presin përpara, por rrugëtimi integrues do të jetë i përbashkët dhe do të realizohet duke ndarë së bashku përvojën pozitive e duke rritur bashkëpunimin e frytshëm në të gjitha fushat.

Duke nënvizuar rolin e rëndësishëm të “Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës” në zhvillimet politike në Kosovë, Kreu i Shtetit shqiptar, Bamir Topi vlerësoi gjithashtu kontributin e spikatur të Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë gjithë periudhës së luftës për çlirimin e Kosovës, por dhe më pas si kryeministër i saj, duke uruar zgjidhje të shpejtë e të drejtë të çështjeve të tij ligjore me institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.

Bashkëbiseduesit folën për ardhmërinë e Kosovës dhe integrimin e saj sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por edhe për situatën në Ballkan, duke ndarë të njëjtën pikëpamje se e ardhmja e të gjitha vendeve rajonale është e projektuar drejt integrimit të plotë në strukturat. euroatlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›