KMDLNJ: Informoni drejtë, jo linçime publike

KMDLNJ ka vënë në thumb të kritikës mediat elektronike dhe të shkruara në Kosovë, siç thuhet, sidomos gazetarinë hulumtuese për të cilën thotë se nuk ka ndonjë përvojë të gjatë.
“Në mungesë të një gazetarie hulumtuese dhe gazetarëve që për bazë e kanë profesionalizimin dhe një kodeks moral, një numër i gazetarëve prodhon tema dhe tituj mbështetur kryesisht në spekulime , burime të ‘mirinformuara’, vendore dhe ato ndërkombëtare e në fakt janë dezinformata që bëhen nga qarqe të ndryshme dhe grupe interesi me qëllim të përbaltjes së personave të caktuar duke ua rrënuar integritetin moral, familjar apo rrethin e tij”.
Kjo dukuri, sipas KMDLNJ, është sidomos e rrezikshme kur kemi të bëjmë me persona të privuar nga liria, ata që dyshohen për vepra të ndryshme penale të cilët ende pa përfunduar hetimet dhe ende pa një vendim të plotfuqishëm të gjykatës përgjegjëse portretizohen si kriminelë të rrezikshëm të cilëve “gazetaria hulumtuese” apo “eskadroni i gazetarëve të parapaguar për vrasje publike përmes linçimeve gjithashtu publike” e marrin rolin e hetuesve policorë, gjykatave, prokurorisë dhe të njësitit për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Linçimi publik ka shkaktuar shumë vuajtje për persona të caktuar dhe familjet e tyre, ka shkatërruar shumë karriera, ka falimentuar biznese dhe si pasojë ka pasur raste të vetëvrasjeve apo përpjekjeve për vetëvrasje. Ndërhyrja në jetën private, bërja publike e të dhënave private, bisedave telefonike apo komunikimeve elektronike ka qenë shkelje flagrante e privatësisë e cila ka mbetur e pandëshkuar. E pandëshkuar ligjërisht dhe moralisht, thuhet në reagim.
KMDLNJ reagon edhe ndaj rastit Sopa, si rasti më i ri. “Rreth këtij rasti pati dhe ka spekulime të shumta me ç’ rast ende pa filluar hetimet dhe kur procesi është në fazën nismëtare po paragjykohet fajësia e anëtarëve të ngushtë të familjes përkatësisht gruaja dhe dy vajzat e të ndjerit”.
Sipas KMDLNJ, ky rast dhe rastet e tjera paraqet rast flagrant i presionit që bëjnë disa medie ndaj procesit hetimor dhe atij gjyqësorë. Dhe kjo paraqet shkelje flagrante e të drejtave elementare të njeriut e sidomos për një gjykim të paanshëm dhe të pandikuar politikisht./Indeksonline/