E Diel, 1 Nëntor 2026

KMDLNJ: Koshnjeti nuk ka qenë pjesëtar i UÇK

KMDLNJ, Këshilli për Mrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka bërë ditën e djeshme një deklaratë në lidhje me arrestimin e Mark Koshnjetit nga pala serbe në Merdare, bën të ditur portali kosovar Telegrafi.

Pas arrestimit nga policia e Serbisë të Mark Koshnjetit ka reaguar Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Prizren, duke kërkuar nga mekanizmat vendorë dhe sidomos ata ndërkombëtarë që të ndërhyjnë për lirimin e tij. 

Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se të shtunën rreth orës 22.00, familjarët e të arrestuarit Mark Koshnjeti, kanë njoftuar Qendrën Rajonale të KMDLNJ-së në Prizren se Mark (Mihill) Koshnjeti (1955), i lindur në Prizren dhe banor i këtij qytetit, është arrestuar në pikën kufitare në Merdare, ndërsa po shkonte për vizitë tek motra e tij në Beograd, ku ajo jeton prej kohësh. 

”Babai im ka udhëtuar tek motra e tij për vizitë, sepse vajza e motrës së tij këto ditë do të martohet. Ai asnjëherë nuk ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është arrestuar pa asnjë të drejtë lidhur me këtë dyshim”, ka thënë Valentina, e bija e Markut, e cila njoftoi se janë në dijeni se ai tashmë është në Burgun e Beogradit. 

Edhe burime tjera të Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së, bëjnë të ditur se Mark Koshnjeti nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së. 

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›